ANALIZA/ Forca dhe dobësitë e Spanjës në fazën në grupe
Është e vështirë të mendosh se faza e grupeve që skuadra spanjolle mbylli në Europian mund të ishte më e mirë se kaq. Tri fitore kundër Kroacisë, Italisë dhe Shqipërisë, pesë gola në favor, porta e pastër dhe kundër italianëve, një nga ndeshjet më të mira në historinë e fundit të ekipit. Shumë gjëra të mira, por, siç përsërit Luis de la Fuente në çdo konferencë shtypi, ka gjithmonë gjëra për të përmirësuar. Me ndihmën e të dërguarve specialë, “Marca” ka analizuar forcën dhe dobësitë e “La Roja”-s në tri ndeshjet e para në grup.
ASPEKTET POZITIVE – Për Migel Angel Lara: “Gjëja më e mirë pa dyshim është skuadra e plotë, ndjenja e të qenit një familje dhe ndeshja kundër Italisë. Ishte ‘skandaloze’ mënyra se si luajti Spanja, pavarësisht se fitoi vetëm me një autogol. Mendoj se ishte një ndeshje e kompletuar”. Migel Angel Toribio nga ana tjetër ka vlerësuar inercinë e ekipit. “Tri fitoret do ta ndihmojnë Spanjën ta shohë veten të aftë për çdo gjë dhe të ketë besim në vetvete. Ata do ta shohin veten të aftë për të mposhtur çdo ekip”. Hoze Feliks Diaz ka vlerësuar veçanërisht dy ndeshjet e para. “Nuk ka vetëm një aspekt pozitiv, janë disa, por intensiteti i skuadrës në dy ndeshjet e para ka qenë i jashtëzakonshëm. Spanja ishte më lart në çdo drejtim, taktik dhe fizik”.
ASPEKTET NEGATIVE – Migel Angel Lara ka vënë në dukje mungesën e më shumë golave, parë rastet e gjeneruara. “Mungesa e më shumë golave. Kundër Kroacisë u shënua herët dhe lehtë, por kundër Italisë u gjenerua shumë dhe nuk u shënua, goli ishte autogol. Dhe ndaj Shqipërisë u shënua, por mund të shënohej më shumë se një gol. Nëse Spanja luan me aq volum loje sa ka deri tani, por nuk arrin të shënojë, mund të ketë probleme”. Raul Varela gjithashtu ka vënë në dukje mungesën e finalizimit. “Sigurisht që për këtë që Spanja ka bërë nuk ka marrë më shumë në këmbim. E di që 9 pikët janë aty, zero gola të pësuar…, por kundër Italisë dhe kundër Shqipërisë duhej të kishte fituar me goleadë”.