Kopertina e parë e librit të Harry Potter thyen rekordin në ankand
Piktura me bojëra uji e librit “Harry Potter And The Philosopher’s Stone” ka arritur një çmim rekord në ankand. Vepra artistike për kopertinën e librit të parë në serinë e Harry Potter nga J. K. Rowling u shit për 1.9 milionë dollarë nga shtëpia e ankandit Sotheby në New York.
Sipas Sotheby’s, tani kopertina është artikulli më i vlefshëm i Harry Potter i shitur ndonjëherë në ankand. Një kopje e edicionit të parë të “Harry Potter And The Philosopher’s Stone” u shit me çmimin më të lartë ndonjëherë, për 421,000 dollarë në një ankand nga Heritage Auctions në Dallas.
Ilustrimi i Thomas Taylor, i cili u shfaq në botimin e parë të romanit, përshkruan magjistarin, me flokë të errët, syze të rrumbullakëta dhe një shenjë në formë rrufeje, në rrugën e tij për në Hogwarts shkollën e magjistarëve.
Taylor, i cili shkroi serinë e librave për fëmijë Erie-On-Sea, u angazhua në moshën 23-vjeçare për të krijuar kopertinën për një roman të ri fantazi për fëmijë. Ai ishte një student i diplomuar që punonte në një librari në Kembrixh, Angli.
Shtëpia e ankandeve e quajti ilustrimin e tij një “ikonë universale” që përcaktoi pamjen e Harry Potter. Vlerësimi fillestar i shtëpisë për çmimin e shitjes së veprës ishte 400,000-600,000 dollarë.