Blinken: Izraeli nuk i ka përmbushur të gjitha angazhimet humanitare në Rripin e Gazës
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha të enjten se Izraeli ka marrë hapa për përshpejtimin e dërgesave të ndihmave humanitare në Rripin e Gazës, por duhet të zbatojë plotësisht angazhimet e tij për të siguruar shpërndarjen e sigurt të ndihmave për civilët në nevojë.
Sekretari Blinken theksoi se ai e kishte ngritur këtë çështje në takimin me ministrin izraelit të mbrojtjes Yoav Gallant në Uashington në fillim të kësaj jave dhe i kishte thënë atij se “sfidat urgjente” që duhen duhen trajtuar janë dërgimi i ndihmave në zonat ku njerëzit kanë më së shumti nevojë, përfshirë ushqim, ujë, ilaçe dhe artkuj të tjerë bazë.
“Gjatë javës së kaluar, ne kemi punuar për të zgjidhur sfidat urgjente, që po e bëjnë të vështirë dhënien e ndihmës së nevojshme humanitare për banorët e Gazës, të cilët kanë aq shumë nevojë për të, veçanërisht kur bëhet fjalë për sigurinë e dërgesave humanitare”, tha Sekretari i Shtetit Antony Blinken përpara se të takohej me koordinatoren e OKB-së për ndihmat në Rripin e Gazës, Sigrid Kaag, në Departamentin e Shtetit.
“Unë i ngrita këto shqetësime në mënyrë të qartë dhe të drejtpërdrejtë me Ministrin izraelit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, i cili ishte këtu vetëm disa ditë më parë dhe mendoj se kemi parë gjatë dy ditëve të fundit disa përparime në Izrael në përpjekjet për të zbatuar një pjesë të angazhimeve të diskutuara në takim”, tha zoti Blinken. “Është mirë dhe e rëndësishme që Izraeli po i trajton këto nevoja shumë konkrete, por ato duhet të zbatohen sa më shpejt që të jetë e mundur. Nuk ka kohë për të humbur.”
Zonja Kaag tha se është thelbësore që ndihmat të dërgohen në Gaza dhe t’u shpërndahen njerëzve në nevojë. “Ka një mungesë të pothuajse të çdo gjëje”, tha ajo. “Pra, është me të vërtetë detyra jonë, jo vetëm të dërgojmë ndihma në Gazë, por edhe të kemi aftësinë për t’i shpërndarë ato në mënyrë të sigurt”, tha koordinatorja e OKB-së për ndihmat në Rripin e Gazës.
Ndërkohë, autoritetet izraelite thanë se 68 njerëz, mes tyre 19 fëmijë të sëmurë dhe të plagosur dhe familjet e tyre, u lejuan të largoheshin nga Rripi i Gazës dhe të shkonin për trajtime mjekësore në Egjipt. Ende nuk është e qartë se ku do të trajtohen ata.
Izraeli filloi një ofensivë të gjerë ushtarake në Rripin e Gazës pas sulmit të militantëve të Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor, në të cilin u vranë 1200 njerëz, kryesisht civilë, dhe u morën peng 250 të tjerë.
Sipas ministrisë së shëndetësisë në Rripin e Gazës, të kontrolluar nga Hamasi, që Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur organizatë terroriste, nga sulmet izraelite janë vrarë mbi 37600 njerëz. Ministria e shëndetësisë në Rripin e Gazës nuk bën dallim mes luftëtarëve dhe civilëve në raportet e saj mbi numrin e viktimave. /VOA
AlbaniaWeb.net