Astrit Avdyli, aleati i Arben Ndokës kundër Durim Bamit, arrestohet
Policia e Shtetit njoftoi se arrestoi të shtunën, në banesën e tij në Shijak, shtetasin Astrit Avdyli, i cili akuzohet nga prokuroria se ndihmoi ish-deputetin Arben Ndoka të organizojë vrasjen e Durim Bamit, duke ndërmjetësuar për vrasës me pagesë dhe duke ofruar lehtësi për ta, në një dramë që përfshiu shtatë grupe kriminale gjatë vitit 2020, dramë që u zbulua për shkak se një pjesë e madhe e eksponentëve të krimit përdorën aplikacionin SKY EÇ për të komunikuar me njëri-tjetrin, duke besuar gabimisht se po përdornin një mjet të sigurt.
Avdyli u bë i njohur për publikun pas operacionit Vol-Vo, i cili, me ndihmë të autoriteteve gjermane, solli arrestimin e dhjetëra shqiptarëve në vitin 2018 të akuzuar për një numër veprash penale, përfshirë laboratorë droge. Ai u dënua me 12 vjet burg në vitin 2022, por ndërsa çështja e tij ishte gjykim, ai u la i lirë në vitin 2021 për shkak se skaduan afatet hetimore.
Ndërsa ishte në burg, ai ndihmoi përgjatë vitit 2020 Arben Ndokën për të gjetur vrasës për Durim Bamin, kreu i një bande tjetër kriminale që u arrestua së fundmi në Dubai.
“Shtetasi Astrit Avdyli, ka pasur rolin e siguruesit të personave që do të kryenin vrasjen e shtetasve Durim dhe Valter Bami. Astriti ka angazhuar shtetasit Arben Mërkuri dhe Aldo Avdyli me qëllim realizimin e vrasjes për llogari të shtetasit Arben Ndoka,” shkruhet në vendimin e gjykatës për caktim mase sigurie në dosjen e Shtatë Bandave, vendim që caktoi arrest me burg për Avdylin ndërsa ai ishte në arrati. Ai rekrutoi nipin e tij Aldo Avdyli dhe shtetasin Arben Mërkuri për t’i vënë në dispozicion të Ndokës me qëllim vrasjen e Durim Bamit.
“Arben Ndoka bashkëpunon me shtetasin Astrit Avdyli me qëllim realizimin e vrasjes së shtetasit Durim Bami dhe marrjen peng të shtetasit Valter Bami. Astrit Avdyli i ka ofruar shtetasit Arben Ndoka nipin e tij shtetasin Aldo Avdyli dhe lidhjen e tij Arben Mërkuri për mbështetje me qëllim vrasjen e shtetasit Durim Bami. Gjithashtu e ka furnizuar me logjistikë duke i siguruar maska plastike që do të përdorin personat që do të kryejnë vrasjen,” shënohet në dosjen e SPAK.
“Në periudhën e komunikimeve shtetasi Astrit Avdyli gjendet në ambjentet e burgut dhe pavarësisht se ndodhet në një burg të sigurisë së lartë ai është në gjendje që të përdorë një telefon celular dhe aplikacion të enkriptuar siç është SkyEÇ dhe madje të bashkëpunojë në kryerjen e vrasjeve,” shkruhet më tej në dosje.
Avdyli u bë i famshëm për publikun kur në vitin 2019, tablloidi gjerman BILD publikoi disa përgjigje, besohet të prokurorisë shqiptare, në të cilat, Avdyli dëgjohet duke folur me zyrtarët socialistë të Shijakut për emërimin e një deputeti në listat e Partisë Socialiste në shkëmbim të mbështetjes së tij për mobilizimin e votave në favor të PS. Në një përgjim tjetër, ai shfaqet duke kërkuar listën e të punësuarve në ndërmarrjen e ujësjellësit të Shijakut, me qëllim të dukshëm që t’i bënte shantazh të votonin Partinë Socialiste ose të pushoheshin nga puna.