Ismail Kadare, shkrimtari më i madh shqiptar, ndahet nga jeta
Shkrimtari shqiptar Ismail Kadare pati një karrierë veçanërisht frytdhënëse që zgjati për mbi gjashtë dekada dhe i dha atij çmimin prestigjioz International Booker në Angli, çmimin Neustadt International Prize for Literature, çmimin Princ of Asturias si dhe bartës i titullit Kalorës i Legjionit të Nderit në Francë. Krijimtaria e tij letrare merret me temat e shoqërisë dhe politikës dhe u shtri përgjatë dy periudhave shumë të ndryshme, nga jeta përgjatë dekadave të shtetit totalitar shqiptar te dekadat e lirisë post-komuniste, në të cilat Kadare ndau kohën e tij mes Parisit dhe Tiranës.
Karriera e tij filloi me zhurmë në vitin 1963 kur botoi romanin Gjenerali i ushtrisë së vdekur, i cili bë libri i tij më i lexuar dhe një i tillë që tërhoqi vëmendjen e lexuesve brenda dhe jashtë vendit.
Botuar në një kohë kur Evropa Perëndimore, e në veçanti, Franca dhe Britania e Madhe ishin nën ethet e rënies nga niveli i superfuqive botërore në nivelin e fuqive rajonale, romani, duket se ushqeu kërkimin shpirtëror për kuptim përmes personazhit të librit, një gjeneral italian, i cili përballet me egon e tij personale dhe të kombit të tij ndërsa është ngarkuar me punën e mërzitshme dhe aspak paguese të mbledhjes së eshtrave të ushtrisë së vdekur të kolonializmit të vonë fashist në Shqipëri.
Karriera e Kadaresë shënoi kulme të tjera me tema universale, përfshirë romanin Kështjella, (1970) të cilën, flitet për konfliktin mes të voglit dhe të madhit, jo pa nënkuptime mbi përplasjen Lindje – Perëndim dhe armët bërthamore, Kronikë në gur, 1971, një shikim retrospektiv mbi fëmijërinë e tij në Gjirokastër, apo Pallati i ëndrrave, (1982) në të cilën trajtohet në mënyrë alegorike jetesa nën një shoqëri totalitare.
Jeta e tij i kushtëzua në mënyrë të pashmangshme nga jetesa nën një shoqëri totalitare. Ai e përshkroi këtë periudhë në një intervistë si përpjekje për të bërë letërsi normale në një situatë anormale ndërsa u përball shpesh me kritika se nuk kishte bërë rezistencë ndaj regjimit komunist ose se “i kishte shërbyer atij”.
Duke iu përgjigjur këtyre akuzave, Kadare deklaroi në një rast se ai refuzonte për veten përshkrimin “shkrimtar disident”, duke theksuar se disidenca ishte një fenomen që nuk ekzistonte nën regjimin komunist shqiptar. Në fakt, disidenca ishte një fenomen që u shfaq në Bashkimin Sovjetik pas viteve 1960, një periudhë në të cilën udhëheqësi sovjetik Nikita Krushov ndaloi së vrari të shkrimtarëve dhe artistëve, një kontrast ky me paraardhësin, Stalin. Shqipëria, e cila jetoi deri në vitin 1985 nën diktaturën e Enver Hoxhës, rrjedhimisht nuk mund të kishte disidencë.
Marrëdhëniet e Kadaresë me regjimin gjithsesi nuk ishin “të shkëlqyera”. Alegoria e romanit Pallati i ëndrrave në të cilin, një sistem burokratik regjistron ëndrrat e të gjithë nënshtetasve të sulltanit të perandorisë Osmane me besimin se në njërën prej tyre mund të gjendet një ogur që paralajmëron për një fatkeqësi që pritet t’i ndodhë perandorit, nuk u kalua pa u vënë re nga zyrtarët e regjimit, të cilët dalluan shprehjet e burokracisë së kohës të transferuara në shekujt e shkuar dhe ngjashmëritë mes Pallatit të Ëndrrave dhe Sigurimit të Shtetit.
Marrëdhënia mes regjimit dhe Kadaresë mori fund në tetor 1990, kur ai kërkoi strehim politik në Francë. Vendimi, që u konsiderua nga udhëheqësit komunistë si një thikë pas shpine, në fakt me gjasa ndihmoi në përpjekjet për rrëzimin e regjimit komunist shqiptar ndërsa ky përpiqej të portretizonte veten si një histori e ndryshme nga vendet e Evropës Lindore ndërsa përpiqej të mbante vendin të izoluar ndaj ndryshimeve të shkaktuara nga rënia e Murit të Berlinit.
Marrëdhëniet e Kadaresë me shoqërinë shiqptare ishin gjithashtu të komplikuara. Mbajtës i opinioneve të forta, Kadare u akuzua mes të tjerash si “islamofob” ndërsa shumë ngritën pikëpyetje për një mospërputhje të supozuar mes përkatësisë fetare të shumicës së popullsisë dhe dëshirës për integrim në Bashkimin Evropian. Debati mbi identitetin e shqiptarëve u rishfaq herë pas here në Shqipërinë e pas-komunizmit me reagime të forta nga një pjesë e popullsisë e cila dukshëm e konsideron religjionin si diçka ndryshe nga të qenit një instrument politik.
Marrëdhëniet e tij me qytetin e lindjes ishin gjithashtu të komplikuara, ndërsa një pjesë e banorëve shprehën pakënaqësi për stereotipizimin që ai u bëri te romani Kronikë në gur.
Reagimet për vdekjen e tij ishin gjithashtu të larmishme. Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj e cilësoi atë si “gjeniu i letrave” dhe “emancipuesin shpirtëror” të shqiptarëve. Ndërsa Çelo Hoxha, drejtor i Institutit për Studimin e Krimeve të Komunizmit, deklaroi se karriera e tij si shkrimtar gjatë kohës së regjimit komunist ka qenë njëkohësisht një instrument i propagandës qeveritare të kohës. “Ai është tallur me viktimat e komunizmit në romanet e tij, sidomos te romani Nëntori i një kryeqyteti,” deklaroi Hoxha.
Në përpjekje për t’u përballur me të shkuarën, Kadare retushoi disa nga librat e tij pas rënies së Komunizmit, me raste duke shtuar elementë të krishtërimit, si në rastin e romanit Kështjella, apo të largimit nga propaganda komuniste, si në rastin e Nëntori i një kryeqyteti.
Në kopertinën e pasme të ribotimit të këtij romani pas rënies së komunizmit, shkruhet:
“Nëntori i një kryeqyteti” u shkrua dhe u botua në vitin 1974. Ngjarjet e romanit, të përqendruara rreth ndërtesës së Radiostacionit të kryeqytetit shqiptar në ditët e çlirimit të tij, nëntor i vitit 1944, janë të ndërthurura me atmosferën e hakmarrjes ndaj klasës së përmbysur. Në vitin 1989, kur shtëpia botuese gjer-mano-perëndimore “N…euer Malik Verlag” shfaqi dëshirën për përkthimin gjermanisht të veprës, autori, duke përfituar nga njohja me përkthyesin Robert Shvarc dhe në mirëbesim të tij, i paraqiti një dorëshkrim të retushuar, të cilin nuk kishte pasur mundësinë ta botonte. Botimi në gjermanisht u bë sipas versionit të retushuar. Teksti i botimit të tanishëm të romanit nuk ka asnjë ndryshim nga versioni i përkthyer dhe i botuar në gjermanisht.”