Europa në rrezik? Bazat amerikane përgatiten për sulm të mundshëm terrorist
Bazat ushtarake dhe personeli amerikan në të gjithë Europën janë vënë në gatishmëri të shtuar, pas informacioneve të reja të inteligjencës që flasin gjasat e një sulmi terrorist.
Një zyrtar i mbrojtjes amerikane i tha VOA-s se objektet ushtarake në të gjithë Komandën Europiane të SHBA-së (EUCOM) u ngritën në shkallën “Charlie” të mbrojtjes, që do të thotë se një sulm është i mundur.
Edhe pse nuk jepen detaje mbi përmbajtjen e këtyre informacioneve shqetësuese, zyrtarë të antiterrorizmit nga shumë vende përmendin kërcënime në rritje, duke përfshirë këtu edhe ato që lidhen me Olimpiadën e ardhshme Verore në Paris.
“Rritja e gatishmërisë nuk lidhet me ndonjë kërcënim specifik, por me disa faktorë të kombinuar, siç janë ngjarjet e mëdha – përfshirë këtu Kampionatin Europian të Futbollit dhe Lojërat Olimpike – dhe sulmet e mundshme nga individë të këqij kundër objektivave të ndryshme joushtarake në Evropë”, theksohet në deklaratë.
EUCOM-i më tej e këshilloi personelin në kontinentin e vjetër “të tregojë kujdes në çdo kohë, të raportojë aktivitete të dyshimta, t’i ndjekë këshillat për udhëtim që i jep Departamenti i Shtetit dhe të ndërmarrë masa të shtuara për zbutjen e rrezikut personal”. Autoritetet franceze kanë bllokuar tashmë të paktën dy komplote terroriste. Në njërin nga rastet, i dyshuari 18-vjeçar u akuzua për komplot për të kryer një sulm në emër të Shtetit Islamik, në një prej stadiumeve që do të përdoret për garat olimpike.
AlbaniaWeb.net