Pa kontratë me Shqipërinë, Corinthians do rikthimin e Sylvinhos, në Brazil e kanë bindje
E ardhmja e Sylvinhos është ende e paqartë. Trajnerit i ka përfunduar kontrata me Shqipërinë dhe ende nuk është gjetur gjuha e përbashkët për rinovimin.
Të shumta janë thashethemet që e shikojnë atë larg përfaqësueses sonë. Si duket, interesim për teknikun Sylvinho nuk ka vetëm nga skuadra europiane, por edhe ana tjetër e globit.
Media e njohur braziliane “Sambafoot”, në një artikull shkruan se Sylvinho pëlqehet nga brazilianët e Corinthians, skuadër të cilën, ai e ka drejtuar edhe më parë.50-vjeçari udhëhoqi Corinthians në 43 ndeshje, duke marrë mesatarisht 1.44 pikë për ndeshje.
Ajo çka shtyn edhe më shumë drejt kryerjes së këtij operacioni, është fakti se Sylvinho shihet si i duhuri edhe nga tifozët e skuadrës së Serie A braziliane.
Vlen të theksohet fakti se për momentin gjithçka është në kuadrin e një hipoteze, pasi bisedime nuk ka patur. Shumë hipoteza në tavolinë për “timonierin”, mes Europës, Shqipërisë, apo rikthimit në Brazil, për të mësuar sesi do shkojnë gjërat, do na duhet të presim.
Një mundësi e mirë është edhe qëndrimi te Shqipëria, për të rinisur kështu edhe një herë nga puna, për kualifikueset e Botërorit.
(J.S/)