Wed, Nov 27, 2024

Provokoi me simbol ekstremist, ministrja e Brendshme e Gjermanisë sulmon yllin turk: Nuk përdoret Europiani për racizëm

  • PublishedJuly 4, 2024

Merih Demiral u bë heroi i Turqisë në sfidën kundër Austrisë, me dy golat e tij që ndihmoi skuadrën e Montellës për të avancuar në çerekfinalet e Europianit.

Gjithsesi, festimi i tij pas golit duket se ka ngritur shumë polemika, jo vetëm në Turqi, por edhe në Gjermani. Ai festoi duke bërë një gjest të njohur si “përshëndetja e ujkut”, që lidhet me grupin ekstremist turk të krahut të djathtë “Ujqërit gri”.

Kjo gjë ka sjellë një reagim nga ministrja e Brendshme e Gjermanisë, Nancy Faeser, e cila me anë të një postimi në “X” shkruan se këto gjëra janë të papranueshme në një kampionat Europian.

“Simbolet e ekstremistëve të djathtë turq nuk kanë vend në stadiumet tona. Përdorimi i Kampionatit Evropian të Futbollit si një platformë për racizmin është krejtësisht e papranueshme. Ne presim që UEFA të hetojë rastin dhe të marrë në konsideratë sanksionet”, shkruan Faeser.

Nga ana tjetër, Demiral tha pas ndeshjes: “Kisha në mendje një festë specifike. Kështu bëra. Ka të bëjë me identitetin turk, sepse jam shumë krenare që jam turk. Dhe e ndjeva atë në maksimum pas golit të dytë, kështu që përfundova duke bërë atë gjest. Jam shumë i lumtur që e bëra këtë”.

Gjithsesi, një dit pas ndeshjes UEFA tha se ka nisur një investigim sa i përket festës së mbrojtësit turk. Kjo nuk është jhera e parë që UEFA e bën diçka të tillë, pasi kujtojmë që dënoi sulmuesin e Kombëtares shqiptare, Mirlind Daku për festën e tij me kore kundër serbëve dhe maqedonasve pas barazimit me Kroacinë, teksa u investigua edhe gjesti i Bellingham pas sfidës me Sllovakinë.



AlbaniaWeb.net