Hapet sot tuneli i Llogorasë/ Rama: Do të ndryshojë përgjithmonë udhëtimin drejt jugut, Balluku: Këtë verë do të jetë pa pagesë
Tuneli i Llogorasë hapet këtë të premte për qarkullimin e mjeteve.
Në orën 10:00, do të zhvillohet ceremonia e inaugurimit të tunelit më të gjatë në vendin tonë. Me një gjatësi prej 5.9 kilometrash, ky tunel do të shkurtojë ndjeshëm kohën e udhëtimit drejt bregdetit të jugut.
“Është një nga veprat historike që do të ndryshojë përgjithmonë udhëtimin drejt jugut”, shkroi kryeministri Edi Rama, në një postim në rrjetin social “Facebook”.
Në një intervistë live nga tuneli i Llogarisë, Zv.kryeministrja dhe ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku, shpjegoi mbrëmë në “Top Story” se këtë vit tuneli do të jetë pa pagesë, por vitet e ardhme do të jetë i aksesueshëm vetëm përmes pagesës, që do të kushtojë rreth 5 euro.
“Tuneli i Llogarasë do ketë një shpejtësi rreth 80 km në orë, ka edhe kthesa. Tunelet e kanë shumë të vogël limitin mbi shpejtësi. Në tunel është e patolerueshme sepse mund të krijojë aksidente, ndërsa nuk lejohen parakalimet. Tuneli i Llogorasë është një vepër me pagesë, pasi do të ketë një mirëmbajtje me kosto të larta. Përllogaritet diku të 5 euro, por bëhet fjalë për vitin e ardhshëm, jo për këtë vit”, tha ministrja.
Me tunelin, do të shkurtohet me disa minuta rruga drejt jugut. “Nëse dikur bëhej rreth dy orë e gjysmë nga Tirana, është shkurtuar më shumë se 45 minuta. Nëse i referohemi vetëm Llogorasë, që ka qenë e përshkueshme për 45 minuta, është shkurtuar më shumë se 30-35 minuta”, tha ministrja live në “Top Story”.
AlbaniaWeb.net