Thu, Nov 28, 2024

Gjykata refuzon garancinë pasurore dhe e lë ish-ministrin Beqaj në qeli

  • PublishedJuly 6, 2024

Gjykata e Posaçme konfirmoi të shtunën më 6 korrik masën e arrestit me burg të dhënë ndaj ish-ministrit të ëndetësisë, Ilir Beqaj, pavarësisht se ky i fundit ofroi garanci pasurore prej 5 milionë lekësh në këmbim të lirisë me kusht.

Beqaj u ndalua më 4 korrik me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, SPAK për veprat penale të korrupsionit, shkelje të barazisë në tenderë dhe fshehje apo të pasurisë apo interesave private – që lidhen me disa procedura prokurimi të kryera nga Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC), të cilën e drejtoi që nga themelimi.

Detyra e kësaj agjencie ishte menaxhimi më me efikasitet i fondeve të Bashkimit Evropian, që dyshohet se përfunduan në xhepat e Beqajt dhe bashkëpunëtorëve të tij. Gjykata ka lënë në qeli dhe bashkëpunëtorin e ish-ministrit, Ermal Kurtulajn, i cili mbante pozicionin e koordinatorit të programit ‘EUSAIR Facility Point’ të financuar nga Bashkimi Evropian. Gjykarta ka refuzuar edhe garancinë pasurore të ofruar nga Kurtulaj, në vlerën e çmimit të shitjes së një automjeti nga ana e tij.

Për të hetuarin , i dyshuar për aktiv dhe mashtrim, gjykata vendosi të zëvendësojë masën e arrestit me burg me atë të arrestit në shtëpi. Për të hetuarin Elton Marini, i dyshuar për “mashtrim”, është vendosur vazhdimi i masës së sigurimit personal “arrest në shtëpi”. Po ashtu, është vendosur vijimi i masës “ për tu paraqitur në policinë gjyqësore për dy personat nën hetim, Bledar Leka dhe Bjona Ziaj, të dy të dyshuar për veprën penale  të mashtrimit.

Sipas SPAK, Beqaj dhe Kurtulaj, i emëruar si koordinator nga ish-ministri, dyshohet se kanë kryer procedura prokurimi fiktive në kundërshtim me rregullat. Nga ka rezultuare se të paktën tetë shërbimet e prokuruara në kuadër të eventeve: “Mbi organizimin e Konferencës FESTA (E Ardhmja e Turizmit të Qëndrueshëm Mjedisor në Shqipëri”, si dhe “Konferenca e Energjitikës”, organizuar në vitin 2023 nuk i janë nënshtruar një procedure prokurimi të rregullt. Fituesi është dakordësuar dhe përcaktuar shumë më se të realizohet procedura e prokurimit, e cila është kryer në mënyrë fiktive më pas, për efekt dokumentacioni dhe pagese.

BIRN raportoi në janar të këtij viti se skema përmes të cilës Beqaj dyshohej se përvetësonte fondet e ndihmës së BE-së kalonte nëpërmjet shitjeve reale dhe joreale të një subjekti tregtar të njohur si restorant Gzona, një nga restorantet më luksoze të Tiranës në zemrën historike të kryeqytetit.

SPAK thotë se në një rast, një procedurë prokurimi për një konferencë mbi turizmin duket se është paguar veçmas nga SASPAC dhe veçmas nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, pavarësisht se ishte e njëjta. SASPAC pagoi te një kompani tregtare 125 mijë euro ndërsa ministria pagoi 38.5 milionë lekë, ku pagesa e parë u justifikua si organizim i një konference me titull “E ardhmja e Turizmit të Qëndrueshëm Mjedisor në Shqipëri”” ndërsa në rastin e dytë, u quajt Festa. SPAK nënvizon se i vetmi shërbim real ishte një darkë me vlerë 4.1 milionë lekë shtruar te Gzona.

Beqaj do të duhet të përgjigjet para prokurorëve edhe për dyshimet për deklarim të rremë të pasurisë, pasi SPAK dyshon se ai është pronar de facto i restorantit Gzona. Pavarësisht se bashkëshortja e tij ka figuruar de jure ortake në masës 15% në këtë shoqëri deri në vitin 2020 duke i dhuruar më pas kuotat e saj ortakut tjetër, ortak sipas SPAK, ka qenë në fakt vetë Beqaj, i cili ka vijuar si i tillë edhe përgjatë kohës që drejtonte SASPAC-un.

Hetimet për këtë çështje janë kryer nga prokurorja Elida Kaçkini, ndërkohë që masat e sigurisë u caktuan prej gjyqtares .