Timo Flloko poezi në nder të Ismail Kadaresë: Dhembjen, fillikat, me kë ta ndaj?
Pak ditë më parë u nda nga jeta në moshën 88-vjeçare shkrimtari më i madh shqiptar, Ismail Kadare.
Sakaq aktori i mirënjohur Timo Flloko ka publikuar një poezi të tij, në nder të Kadaresë, ku Flloko e nis poezinë duke përshkruar ditën me dhembjen e madhe pa gjeniun e letrave shqipe.
Bashkangjitur me poezinë, aktori ka ndarë edhe një fotografi të veçantë përkrah kolosit të letrave shqipe, në një nga momentet e tyre së bashku.
KADARE (Requiem)
Nga Timo Flloko
E piva kafen e helmët pa ty, këtë mëngjes,
Dhembjen, fillikat, me kë ta ndaja,
Chateau Juvenilja tek e shoh më ngjan,
Më shkretëtirë se Saharaja…
Ike heshtjes si gjigant, i menduar,
(Bëre vallë pakt të fshehtë me ikjen?!)
Le bosh pas vetes, në mijëra zemra,
Zbrazëti pa skaj, apokaliptike…
(Pse vijnë gjenitë dhe ikin nga kjo botë..?!)
Ikja jote është shtegtim qiellor,
Vdekjen s’mund as ta imagjinoj dot!
Mortin s’mund ta marr as me mend..
Një zog erdh’ a m’u faneps
Fluturimin ndali, u ul në vendin tënd,
(Të ish hij’ e Nobelit ai udhëhumbës,
Me pendesën në vete, një gjasë aq e rrallë,
U nis por mbërriti vone, nga erërat që frynin,
Korb u bë nga mërzia, se s’të gjeti gjallë…)
U përmenda ne fund, humbës në atë bosh,
Hodha sytë në qiell, përtej, te e panjohura,
Me pafundësinë u shkri, atje përjetshëm,
Shpirti yt shtegtar që kapërcen kohërat.