Sat, Nov 30, 2024

Vjedhja e mbi 50 ton metale në Kombinatin e Poliçanit, Bledi Çuçi thirret në Prokurori si person në dijeni

  • PublishedJuly 6, 2024

Ish-ministri i Brendshëm, njëherësh kreu i Grupit Parlamentar Socialist, Bledi Çuçi, është thirru të dëshmojë në Prokurori mesditën e 15 korrikut.

Burime për AlbaniaWeb.net konfirmojnë se thirrja e tij është bërë nga Prokuroria e Beratit si person në dijeni për të dhënë shpjegime në lidhje me vjedhjen e një sasie të konsiderueshme metalesh në Kombinatin Mekanik të Poliçanit, ndërsa për çështjen është regjistruar procedim penal në 2022, për shpërdorim detyre.

Çuçi është evidentuar në biseda me drejtuesin e Kombinatit Mekanik të Poliçanit Erion Zylyftari, i cili ishte edhe drejtues i PS-së në Poliçan. Ish-ministrit i ka mbërritur fletëthirrja në banesën e tij në kryeqytet dhe duhet të paraqitet në prokurorinë e Beratit.

Bëhet fjalë për mbi 50 ton metale në Kombinatin Mekanik të Poliçanit ku është shkaktuar një dëm i konsiderueshëm, thonë burime nga organi i akuzës. Ndërkohë, janë bërë edhe audite rreth dëmit ekonomik për të cilat është vënë në dijeni edhe ministria e Mbrojtjes.

Duke qenë se dosja përfshin edhe emra të zyrtarëve të lartë, në varësi të hetimeve do të mbahet një qëndrim në vijim nëse do t’i kalohet ose jo për kompetencë SPAK-ut. Gjithçka ka nisur në fund të dhjetorit të 2020 kur kombinati u mbyll, ndërsa Krimi Ekonomik kishte nisur një hetim të thelluar mbi zhdukjen e rreth 50 tonë tunxh.



AlbaniaWeb.net