Deschamps vlerësime për Mbappe: I frikëson kundërshtarët vetëm me praninë e tij
Një gol dhe një asist në 5 ndeshje. Kylian Mbappe nuk është se nuk e ka dhënë kontributin e tij për Francën në këtë Kampionat Europian, me blutë në gjysmëfinale, të paktën për momentin, por sigurisht fama e tij ndërkombëtare nuk është “përkthyer” njësoj me ndikimin në garat e mëdha.
Analistat dhe komentuesit janë padyshim ata që fokusohen te loja që mund të ofrojë skuadra e Deschamps dhe kontributi që po japin sulmuesit e tij, duke filluar nga vetë Mbappé, i cili nuk përjashtohet nga kritikat.
Vetë Deschamps, duke folur në një konferencë për shtyp para ndeshjes gjysmëfinale kundër Spanjës, mbrojti yllin e tij: “Pa qenë në maksimumin e vet, e di që vetëm me praninë e tij ndikon te kundërshtarët. Mos mendoni se ai tashmë ka dhënë gjithçka në futboll.
Historia e nderon edhe me atë që ka bërë deri tani, por Mbappe dëshiron të arrijë shumë më tepër. Edhe pse nuk është në 100%, e di shumë mirë sa i frikëson kundërshtarët prania e tij në fushë. Mbappe ndikon tek ata dhe në çdo rast kundërshtarët janë të detyruar të përshtaten me mënyrën e tij të sulmit”.
Deschamps pranon se Francës i mungojnë golat: “Nuk është një kritikë, është një fakt. Në sulm jemi më pak efektivë se më parë, por kjo nuk na pengoi të arrijmë edhe një herë në gjysmëfinale”.