Tue, Nov 26, 2024

Rusia lëshon urdhër arrest për gruan e opozitarit të ndjerë rus, Alexei Navalny

  • PublishedJuly 9, 2024

Rusia ka lëshuar një fletarrestim për Yulia Navalnayan, duke e akuzuar figurën opozitare në mërgim për pjesëmarrje në një “organizatë terroriste”.

Një gjykatë ruse tha se ka miratuar “kërkesën e hetuesve dhe ka vendosur për masa parandaluese në formë të paraburgimit për dy muaj”.

Navalnaya është zotuar se do të vazhdojë punën e bashkëshortit të saj, Aleksei Navalny, kundërshtarit kryesor të presidentit rus, Vladimir Putin, i cili vdiq në një burg në Arktik në shkurt.

Navalnaya reagoi pas lajmit për fletarrestim duke thënë: “Vladimir Putin është vrasës dhe kriminel lufte. Ai e ka vendin në burg”.

Navalnaya “është arrestuar [në mungesë] se është anëtare e një komuniteti ekstremist”, tha Leonid Volkov, ish-shefi i stafit të Navalnyt.

“Kjo është njohje e vendosshmërisë së Yulias për të vazhduar luftën e Alekseit”, shtoi ai.

Organizatat e Navalnyt janë të jashtëligjshme në Rusi dhe janë të shpallura “ekstremiste” dhe gjenden në listën e “terrorizmit” të shtetit.

Navalnaya, ekonomiste, kishte qëndruar pranë bashkëshortit të saj i cili organizoi protesta masive në Rusi, kishte qenë bashkë me të edhe kur ai u largua nga Rusia për t’u trajtuar nga një helmim më 2021, duke e ditur se me t’u kthyer ai do të arrestohej.

Pas vdekjes së tij, Navalnaya është zotuar se do të vazhdojë punën e bashkëshortit të saj nga jashtë vendit./REL



AlbaniaWeb.net