Barishtet dhe erëzat, vlerat në mjekësi dhe në gatim
Erëzat dhe bimët medicinale janë fantastike për t’i dhënë aromë, shije dhe vlera çdo ushqimi dhe jo vetëm. Këto dy produkte mund të duken e njëjta gjë, po dallimet mes tyre janë të mëdha. Librat e recetave të kuzhinës rekomandojne përdorimin e shumë erëzave, barishteve dhe bimëve medicinale por pa shpjeguar dallimin mes tyre.
Bimët medicinale dhe barishtet janë gjethet e bimëve pa trung të mirëfilltë që buron në mbitokë. Erëzat nga ana tjetër vijnë nga rrënja, kërcelli, fara apo fruti i një bime. Barishtet e thata dhe erëzat mund të duken e njëjta gjë, por janë krejt të ndryshme.
Barishtet rriten në zona me klimë të butë, ndërsa erëzat gjenden në vendet e Lindjes së Largët. Erëzat siç janë arrëmyshku, piperi dhe kanella kanë origjinën në vendet tropikale por sot gjenden edhe në vendet perëndimore.
Barishtet të cilat kanë edhe vlera mjekësore përdoren për të plotësuar shijen e gatimit. Aroma e tyre është e butë, e përshtatshme, jo agresive dhe lehtësisht e kombinueshme. Erëzat nga ana tjetër kanë tendencë pushtuese, që do të thotë se aroma e tyre arrin të triumfojë mbi çdo nuancë tjetër. Erëzat përdoren edhe për ruajtjen e ushqimeve për një afat më të gjatë, një karakteristikë që u mungon barishteve.
Në rrugëtimin tuaj në artin e kuzhinës, mund të hasni bimë që prodhojnë edhe erëza edhe barishte. Për shembull, gjethet e bimës së cilantros njihen si barishte, ndërsa farat njihen si erëza. Një tjetër shembull është kopra. Farat njihen si erëz ndërsa degët dhe tufat njihen si barishte.
Një konsumator vigjilent mundet të bëjë dallimin mes erëzave dhe barishteve në një tjetër aspekt. Duke qenë se barishtet kanë origjinën nga vendet me klimë të ngrohtë, ato kanë një çmim më të lirë. Barishtet mund t’i rrisë në shtëpi secili prej nesh. Erëzat, ose më saktë bimët që prodhojnë erëza, kanë nevojë për temperaturë dhe kushte të veçanta që të rriten, lulëzojnë dhe prodhojnë.
Gjatë gjithë historisë së njerëzimit, erëzat dhe barishtet janë përdorur për të trajtuar një sërë problemesh shëndetësore. Edhe në ditët e sotme, shumë barishte dhe erëza përdoren në mjekësinë popullore. Shafrani i Indisë për shembull pranohet gjërësisht të ketë veti të shkëlqyera kundër radikaleve të lira që dëmtojnë organizmin. Erëzat dhe barishtet përdoren gjithashtu edhe në industrinë kozmetike, për prodhimin e parfumeve dhe në terapitë aromatike./AgroWeb.org