Sun, Nov 24, 2024

Gjykata Kushtetuese merr vendimin për mandatin e Olta Xhaçkës, Zaçaj: Kuvendi duhej të zbatonte vendimin e GJK

  • PublishedJuly 10, 2024

Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar vendimin e Kuvendit për të mos çuar në GJK kërkesën e deputetëve të PD në lidhje me mandatin e Olta Xhaçkës.

Kështu Gjykata theksoi se vendimi i saj që ka vendosur detyrimin e Kuvendit për të dërguar në Gjykatë mocionin e 1/10 së deputetëve për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, dhe më pas do të jetë ky institucion që do të shqyrtojë nëse duhet t’i hiqet apo jo mandati.

“Askush nuk mund të vendosë të mos zbatojë vendimet e gjykatës kushtetuese”, tha kryetarja e Gjykatës, Holta Zaçaj duke iu referuar Kuvendit.

“Në përfundim Gjykata Kushtetuese, pasi shqyrtoi çështjen në seancë publike me pjesëmarrjen e palëve, konstatoi se vendimi i saj i datës 23/ 01/ 2023 nuk është ekzekutuar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë’, tha ajo.

Sipas GJK, është vlerësuar se Kuvendi i Shqipërisë ka vënë në diskutim fuqinë detyruese të vendimit të saj, duke mos zbatuar nenin, i cili parashikon se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe të detyrueshme për zbatim.

Gjykata ritheksoi se vendimet e saj kanë efektet e forcës së ligjit dhe se asnjë organ nuk ka të drejtë t’i vërë ato në diskutim dhe aq më tepër të mos pranojë t’i zbatojë.

“Ndikimi i padiskutueshëm i vendimeve të saj është i tillë që ju imponon të gjithë organeve shtetërore fuqinë detyruese të vendimit të saj. Ky efekt detyrues ka të bëjë si me pjesën urdhëruese, ashtu edhe me pjesën arsyetuese të vendimit”, sqarohet më tej.

Kuvendi duhet të votojnë në përputhje me urdhërimin e Gjykatës, pasi ky votim nuk është një procedurë e zakonshme parlamentare dhe si e tillë nuk ka të bëjë me parimin e mandatit jodetyrues të deputetit, por është në kuadër të ekzekutimit të vendimit të Gjykatës.

Konkretisht Gjykata, me shumicë votash, vendosi:

1. Pranimin pjesërisht të kërkesës.

2. Zgjidhjen e konfliktit/mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet Kuvendit të Shqipërisë dhe subjektit kushtetues në konflikt, jo më pak se 1/10-ta e deputetëve.

3. Shfuqizimin e vendimit nr. 41/2024, datë 11.04.2024 “Për mosdërgimin e mocionit në Gjykatën Kushtetuese” të Kuvendit të Shqipërisë, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

4. Detyrimin e Kuvendit të Shqipërisë për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit mbi papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka.

Në kuadër të kësaj vendimmarrjeje, Gjykata thekson se Kuvendi mbart detyrimin për ekzekutimin pa vonesë të këtij vendimi.



AlbaniaWeb.net