Gjykata shtyn seancën për pyetjen e ekspertëve financiarë në çështjen ndaj Fatmir Mediut
Seanca për pyetjen e ekspertëve që kanë hartuar aktin e ekspertimit financiar në funksion të hetimit për çështjen penale ndaj përgjegjësve për ngjarjen tragjike të Gërdecit në vitin 2008, provë që është përdorur nga SPAK për të mbështetur akuzën ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, dështoi të përmbyllej të mërkurën më 10 korrik, edhe pse zgjati për dy orë e gjysmë.
Gjyqtarja Irena Gjoka tha se pesë hartuesit e aktit të ekspertimit do të pyeten në cilësinë e ekspertit shkencorë. Ekspertët u pyetën nga përfaqësuesi i Mediut, Ardian Visha, nëse gëzonin ndonjë titull shkencor apo akademik. Të gjithë u përgjigjën se nuk kanë titull të tillë. Në vijim Visha pyeti për mënyrën se si janë zgjedhur si ekspertë. Këto pyetje u konstetuan nga prokuroria si pa lidhje me çështjen objekt gjykimi. Edhe gjykata kërkoi që të shmangeshin pyetjet për mënyrën e përzgjedhjes së ekspertëve.
Megjithëse avokati Visha këmbënguli se këto pyetje kishin të bënin me procedurën e ndjekur për përzgjedhjen e ekspertëve, gjyqtarja Irena Gjoka i cilësoi të papranueshme. Në vijim palët u përfshinë në kundërshtime. Pasi Gjoka i tërhoqi avokatit Visha disa herë vëmendjen, e urdhëroi të linte sallën e gjyqit.
Të pyetur dhe nga i pandehuri Fatmir Mediu dhe avokati tjetër i tij, Henrik Ligori, të pesë ekspertët kërkuan që t’u jepeshin pyetjet me shkrim dhe të kthehin përgjigje po me shkrim. Ata u shprehën se aktin e kanë hartuar bashkë dhe se e kanë të nevojshme që të konkludonin bashkë dhe për përgjigjet. Po ashtu, evidentuan se akti përbëhet nga 500 faqe dhe se është hartuar prej tyre para 15 vitesh e për rrjedhojë duhet të konsultohen me dokumentet.
Kjo kërkesë u kontestua nga Mediu dhe mbrojtësit e tij, të cilët këmbëngulën se debate gjyqësor zhvillohet me pyetje të drejtpërdrejta dhe jo me shkrim. Për arsye se ekspertët vijonin të kërkonin kohë dhe të mos jepnin përgjigje për një pjesë të pyetjeve, gjykata vendosi t’u japë një javë afat. Gjyqtarja Irena Gjoka argumentoi se, pasi dëgjoi debatin e palëve për aktin e ekspertimit financiar, çmon se për arsye se akti është voluminoz dhe është përpiluar prej pesë ekspertëve kohë më parë, nevojitet që t’u jepet mundësia për t’u konsultuar.
Gjykata vendosi të procedojë me depozitimin e pyetjeve, duke kërkuar që ato të dorëzohen të enjten e më pas t’u kalohen ekspertëve. Seanca e radhës u shty për më datë 17 korrik, në orën 09:00.
Sipas SPAK, prej aktit të ekspertimit financiar evidentohen dëmet e shkaktuara nga veprimet dhe mosveprimet e ish-ministrit Mediu.
Rihapja e çështjes ndaj Mediut u vu në lëvizje pas 12 vitesh me iniciativën e familjes së një prej viktimave të shpërthimit në mars 2008 në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, me 26 humbje jete e qindra të plagosur. Sipas kërkuesve dhe SPAK, pas ndryshimeve ligjore të vitit 2012 dhe 2017, deputeti nuk ka më imunitet parlamentar për ndjekjen penale apo gjykimin e tij dhe për rrjedhojë nuk ekziston me asnjë pengesë për hetimin dhe gjykimin e Mediut, i cili akuzohet për “shpërdorim detyre”.