Mon, Nov 25, 2024

Bursë edhe për studentët me pesa! Skemë e re për maturantët, ndryshohen kriteret për programet prioritare

  • PublishedJuly 11, 2024

Zgjerohet skema e mbështetjes financiare mujore për maturantët që regjistrohen në programet prioritare.

Këshilli i Ministrave ka ndryshuar vendimin për fushat e programeve të studimit që përbëjnë prioritet kombëtar duke hequr kufizimin e notës mesatare 8.5 për të marr bursë sa paga minimale çdo muaj, në vitin e parë të studimit.

Teksa pas tij, përfitimi do të jetë mbi bazën e arritjeve akademike. Studentët që ruajnë notën mesatare mbi 8.00, përfitojnë 100% të masës së pagës minimale; me ruajtjen e notës mesatare nga 6.5 deri në 8.00, përfitohet 60% të 40 mijë lekëve; ndërsa poshtë këtij vlerësimi, studentët do të marrin 30% të pagës minimale, pra vlerën 12 mijë lekë.

Me këtë metodologji, në degët që rrezikojnë mbylljen por që ka nevojë në tregun e punës, pritet të mbështeten financiarisht jo vetëm të rinjtë me rezultate më të mira. Megjithatë në VKM parashikohet caktimi i kuotave nga një komision me 5 anëtarë që do të jenë përfaqësues nga Ministria e Arsimit dhe universitetet, të cilat do të jenë edhe përgjegjëse për degët që duhen të shpallen me prioritet kombëtar.

Ndryshimi i VKM-së vitit 2022 ka përcaktuar një listë më të shkurtër të fushave të studimit me prioritet kombëtar, duke mos financuar më studentët që zgjedhin veterinarinë apo programet e turizmit. Ndërsa vlerësohet me interes mbështetja e degëve të studimit për mësuesi.



AlbaniaWeb.net