Burgjet akoma pa vendim mbi kërkesën për leje të Fredi Belerit
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve pranoi të premten se kishte marrë një kërkesë për leje nga Fredi Beleri, por tha se ajo ishte në shqyrtim nga komisioni i posaçëm dhe se procedura ishte e komplikuar.
Zëvendës drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve Femi Sufaj, konfirmoi për BIRN se institucioni kishte marrë kërkesën për leje, por tha se ajo ishte ende në procedura shqyrtimi.
Sufaj u shpreh se rasti në fjalë ishte i komplikuar. Ai shpjegoi se të dënuarit merrnin leje brenda vendit dhe se në çdo rast duhej të paraqiteshin në komisariatin më të afërt të policisë çdo ditë.
“Ai kërkon leje për të udhëtuar jashtë shtetit, në cilin komisariat policie do të paraqitet”, pyeti Sufaj, duke shtuar se kërkesa për leje ishte në shqyrtim.
Beleri kërkon leje që të mund të udhëtojë jashtë Shqipërisë në mënyrë që të betohet më 16 korrik si deputet i Parlamentit Europian, ku u zgjodh si kandidat i ‘Nea Demokratia’ – partia në pushtet në Greqi.
Beleri, i cili u arrestua dy ditë para zgjedhjeve të fundit lokale në Shqipëri me akuzën e blerjes së votave, u gjet fajtor nga Gjykata e Posaçme dhe dënimi ndaj tij u konfirmua në Apel. Ai po vuan dënimin me 2 vjet heqje lirie.
Edhe pse i arrestuar Beleri fitoi zgjedhjet në Himarë në maj 2023 dhe qe kryetar i zgjedhur i bashkisë deri në korrik 2024, kur pas vendimit të formës së prerë të Gjykatës së Poçme të Apelit, Komisioni Qendrorë i Zgjedhjeve e shpalli mandatin e tij të pavlefshëm.
Për shkak të arrestimit Beleri nuk kreu dot betimin si kryebashkiak dhe gjykata refuzoi ta lejonte atë të merrte mandatin.
Gjatë kohës që Beleri përballej me akuza në Shqipëri ai mori mbështetje nga Athina zyrtare dhe partia e kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis e kandidoi në listën e saj për deputetë të Parlamentit Europian. Beleri u shpall fitues, ndërsa ishte dënuar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë në Shqipëri. Pasi u zgjodh në Parlamentin Europian si eurodeputet nga Greqia, ai u gjet fajtor për blerje votash edhe në Gjykatën e Posaçme të Apelit.
Për të marrë mandatin e deputetit të Parlamentit Europian, Beleri duhet të paraqitet në seancën e kryerjes së betimit në 16 korrik në Strasburg dhe për këtë ka kërkuar leje nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.