FMN konsideron “thelbësore” mbrojtjen e konsumatorit nga kreditorët abuzivë
Fondi Monetar Ndërkombëtar theksoi në deklaratën përmbyllëse të vizitës konsultuese në Tiranë të hënën rëndësinë që ka për vendin mbrojtja e konsumatorëve nga kredidhënësit abuzivë.
“Përpjekjet që po bëhen për të forcuar rregulloren për mbrojtjen e konsumatorit, duke përfshirë atë për institucionet financiare jobanka, janë thelbësore për ruajtjen e integritetit dhe besimit në sistemin financiar”, thuhet në njoftimin për shtyp, dukshën në referencë të skandalit të mikrokredive të zbuluar nga prokuroria së fundmi, i cili hapi për diskutim publik çështje më të rëndësishme, si, mënyra se si duhet të veprojë autoriteti shtetëror përkundrejt kredidhënësve spekulantë.
FMN nuk hyri në detaje se si duhet të “forcohet rregullorja për mbrojtjen e konsumatorit”, por theksi që ajo i jep cënimit të besimit të publikut të gjerë nga aktiviteti i një numri kreditorësh spekulantë në ekonominë shqiptare duket se bie ndesh me politikën aktuale të Bankës së Shqipërisë dhe të qeverisë, institucione që deri më sot nuk kanë shprehur ndonjë shqetësim për fenomenin dhe as nuk kanë denjuar të paralajmërojnë konsumatorët nga rreziqet që bart kreditimi spekulativ.
Shqipëria ka pasur prej dekadash një sektor të njohur si “mikrokrediti”, në të cilin, institucione jo-banka të licencuara japin kredi në shuma të vogla me interesa të larta. Të njohura në shumë vende si institucione që “ndihmojnë” biznesin e vogël apo fermerët, të cilët, në përgjithësi, shikohen si treg jo interesant për bankat konvencionale, institucione të tilla kanë marrë drejtime të ndryshme, me raste duke u transformuar në banka konvencionale dhe me raste të tjera, duke hyrë në sektorin e kredidhënies spekulative, të njohur nëpër botë si “predatory lending” apo “next day loan”.
Gjatë viteve të fundit, në treg janë shfaqur disa operatorë të cilët, larg nga të prezantuarit nën platformën e marketingut të mikrokreditit, kanë hyrë në treg në mënyrë agresive duke ofruar kredi pa kurrfarë kontrolli përkundrejt interesave që arrijnë deri në 100 për qind. Ky aktivitet kreditues është lidhur me një aktivitet tjetër spekulant, atë të tregtisë së borxheve të këqija dhe të përmbaruesve privatë të titujve ekzekutivë, gjë që ka krijuar incentiva për zhvillimin e një tregu ku produkti real është krijimi i një kredie të keqe dhe jo kredidhënia dhe arkëtimi i interesave.
Në mënyrë tipike, kredidhënës të tillë gjejnë qytetarë naivë apo në çaste vështirësish për t’i ofruar kredi, pavarësisht nëse kredimarrësi ka apo jo mundësi reale që ta shlyejë kredinë. Leverdia për një aktivitet të tillë dukshëm është më e madhe nëse kredia nuk shlyhet, duke krijuar kështu një zinxhir zhvatjeje përkundrejt kredimarrësit viktimë. Edhe nëse kredimarrësi viktimë arrin të shlyejë kredinë, ai detyrohet në këto raste të shlyejë tarifa të kushtueshme të përmbarimit gjyqësor bashkë me kredinë.
Kredidhënësit dhe ekzekutuesit e borxheve të këqija kanë ndjekur në masë praktikën e bllokimit të pronave të patundshme të kreditorëve pa marrë parasysh shumën e kredisë dhe pavarësisht faktit se prona nuk është pjesë e kontratës së kredimarrjes në këtë rast, duke mjegulluar kufirin mes kredisë me kolateral dhe kredisë pa kolateral.
Ka apo nuk ka shteti përgjegjësi për të mbrojtur konsumatorët nga praktika të tilla është njëra anë e problemit. Pasoja që krijon mungesa e ndërhyrjes shtetërore, qoftë përmes ndalimit të këtyre praktikave, qoftë përmes detyrimit të standardeve të transparencës mbi kredidhënien apo të fushatave të ndërgjegjësimit publik mbi rreziqet, përbëjnë një problem më të gjerë për atë që FMN, në deklaratën e saj lakonike thotë se është “thelbësore për ruajtjen e integritetit dhe besimit në sistemin financiar”.
Me pak fjalë, ndërsa disa kompani ofrojnë kredi të tilla, besimi i publikut të gjerë te i gjithë sistemi bankar cenohet.