Sat, Nov 23, 2024

Gratë e guximshme boshnjake i bashkohen kauzës në mbrojtje të Shushicës

  • PublishedJuly 15, 2024

Aktivistët dhe qytetarët në mbrojtje të lumit të Shushicës tashmë prej një viti po kundërshtojnë planet e qeverisë për projektin e ujësjellësit të Himarës, projekt i cili rrezikon të ardhmen e mijëra banorëve të komunitetit që shtrihet përgjatë luginës së lumit Shushica.

Pas protestave të tyre të shumta në terren, më 12 Korrik kësaj kauze iu bashkuan edhe Gratë e Guximshme të Kruščicës nga Bosnje Herzegovina, në një shfaqe të solidaritetit dhe rezistencës kundër projektit të diskutueshëm të devijimit të ujit.

“Ne jemi këtu për të mbështëtur motrat dhe vëllezërit tanë në Luginën e Shushicës, për t’i motivuar që të qëndrojnë të fortë, sepse ne e kuptojmë ndikimin shkatërrues që këto projekte mund të kenë për komunitetin e prekur”, tha Amela Zukan, një nga figurat e njohura të lëvizjes së Kruščicës, duke shtuar se lumenjtë janë burimi i jetës së tokave dhe duhen mbrojtur për brezat e ardhshëm.

Projekti i Ujësjellësit të Himarës planifikon devijimin e ujit nga burimi Lëpushë i lumit Shushicë, dhe kanalizimin e tij nëpërmjet një tubacioni 17.3 km të gjatë drejt fshatrave turistikë dhe bregdetit të Himarës.

Banorët e komunitetit përgjatë lumit Shushicë nisën një peticion simbolik për mbledhjen e firmave në një prej tubat e projektit, peticion i cili kulminoi në një protestë masive në Tiranë ku tubat e firmave u sollën pranë Kryeministrisë, për të treguar dhe njëherë vendosmërinë e qytetarëve të kësaj zone kundër devijimit të ujit nga burimi i Shushicës.

Nga ana tjetër, gratë e Kruščicës janë njohur ndërkombëtarisht për guximin dhe vendosshmërinë e tyre, ku nëpërmjet një bllokade që ato mbajtën pa pushim 24/7 në 500 ditë, parandaluan ndërtimin e dy hidrocentraleve në lumin Kruscica të Bosnje-Hercegovinës.

Këto komunitete bashkuan forcat së bashku më 12 korrik, në organizimin e një akti simbolik proteste duke krijuar një “zinxhir” njerëzor së bashku me banorët dhe aktivistët e zonës në urën të vjetër e historike në Brataj.

“Sot ne treguam unitet dhe vendosshmëri duke qëndruar bashkë kundër shkatërrimit të lumit tonë. Ne i kërkojmë kryeministrit të vendit të ndalojë këtë projekt dhe të dëgjojë zërin e banorëve”, përfundoi Astrit Balilaj, Kryeplaku i fshatit Kuç.