Nga burgu i Fierit në Strasburg përmes Athinës, Beleri takohet me Mitsotakis, ja kur duhet të kthehet sërish në qeli
Fredi Beleri u lirua nga burgu ditën e sotme, pak para orës 7:30 të mëngjesit, për të udhëtuar në Athinë dhe më pas në Strasburg, ku nesër më 16 korrik do të bëjë betimin si eurodeputet.
Sipas mediave greke, kryeministri Kyriakos Mitsotakis, sot në orën 13:00 u takua në selinë e tij në Megaros Maximos me Belerin.
Me lejen pesëditore që iu dha ditën e djeshme nga Drejtoria e Burgjeve, Beleri do të do të betohet si deputet i Parlamentit Europian.
“Do të doja t’ju falënderoja për mbështetjen gjatë gjithë këtyre muajve… Jam i emocionuar, i lumtur… Shumë faleminderit, për gjithçka”, u tha ai gazetarëve dhe më pas u largua nga burgu, me një makinë të ambasadës greke.
Beleri do të jetë përkohësisht jashtë burgut, me Athinën si destinacionin e parë dhe nga aty do të shkojë në Strasburg, për të marrë detyrën si anëtar i Parlamentit Evropian gjatë seancës hapëse plenare dhe për të marrë pjesë në zgjedhjet për drejtuesit e BE-së.
Fredi Beleri ka kohë deri në orën 16:00 të së shtunës për t’u kthyer dhe për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit, në burgun e Fierit.
AlbaniaWeb.net