Rënia e akuzave ndaj Trump, Richard Grenell: Tani është radha e Hashim Thaçit!
Rënien e akuzave ndaj tij për mbajtjen e dokumentave të klasifikuara, Donald Trump e cilësoi “si hapin e parë të shumë të tjerëve që duhet të hidhen”, pas asaj që u përshkrua si një tjetër fitore e rëndësishme ligjore për kandidatin republikan për president në Shtetet e Bashkuara.
Njëri prej bashkëpunëtorëve të ngushtë të tij, Richard Grenell, ish drejtor i Inteligjencës dhe ish i dërguari i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, reagoi duke hequr paralele mes këtij rasti dhe atij të Hashim Thaci, që po mbahet në Hagë nën akuzat për krime lufte.
E përbashkëta në të dyja çështjet duket se është prokurori Jack Smith, i cili po hetonte rastin e ish-presidentit amerikan, e ka hetuar edhe Thacin. “Çështja e Jack Smith për Trumpin u shemb.
Radha për ty, Hashim Thaçi”, shkroi Grenell në platformën X. Gjykatësja Aileen Cannon në Florida e pushoi të hënën çështjen gjyqësore me akuza penale ndaj ish-presidentit amerikan.
Gjykatësja Cannon, e cila u emërua në këtë detyrë nga Trump gjatë mandatit të tij, vendosi se prokurori i posaçëm Smith, i cili drejton hetimin, ishte emëruar në mënyrë të paligjshme në këtë rol dhe se ai nuk e kishte autoritetin ligjor për të ngritur një padi të tillë. Në urdhërin prej 93 faqesh të gjykatëses Cannon thuhet se prokurori i posaçëm duhet të ishte emëruar me miratimin e Kongresit.
AlbaniaWeb.net