Sat, Nov 23, 2024

Hysaj për sezonin e ri me Lazion: Jemi të lumtur dhe të gatshëm për të punuar me trajnerin e ri

  • PublishedJuly 19, 2024

Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare dhe Lazios, Elseid Hysaj ka folur së fundmi për “Style Channel”. Hysaj është ndalur të flasë për ekipin e Lazios, me të cilët luan prej vitit 2021. 33 vjeçari thotë se ka gjetur një ekip me shumë dëshirë kur u kthye nga pushimet.

Ndër të tjera, Hysaj thotë se mezi pret të punojë me trajnerin Marco Baroni teksa vlerëson maksimalisht tifozët dhe lojtarët në moshë të re te Lazio. Për këta të fundit, mbrojtësi shqiptar thotë se duhet të presin ndeshjet për t’i vlerësuar siç duhet.

“Kam gjetur një ekip me shumë dëshirë, duhet të ndërtojmë një epokë të re. Lojtarë të rëndësishëm janë larguar, por kanë ardhur edhe të rinj që mund të ndihmojnë shumë. Nuk kam punuar ende me Baronin, por të gjithë janë të lumtur dhe të gatshëm për të punuar fort për t’u përmirësuar.

Tifozët janë gjëja kryesore për ne. Pa mbështetjen e tyre, ne nuk mund të luajmë mirë apo të japim më të mirën tonë. Shpresojmë ta shohim gjithmonë stadiumin plot. Europa League është një kompeticion i ri në të cilin duhet të përfshihemi dhe të tregojmë cilësitë tona. Për mua, sa më shumë ndeshje aq më mirë. Detyra jonë është të luajmë sa më shumë, të ketë mundësi për të gjithë.

Është bukur, ky është futbolli. Pritshmëritë? Lazio ka një numër të madh tifozësh që gjithmonë presin gjëra të mëdha nga ekipi. Është fusha që do të flasë. Duhet të kemi besim dhe të presim ndeshjet për të vlerësuar të gjithë lojtarët e rinj. Ata janë të rëndësishëm dhe do të na japin një dorë të madhe”, është shprehur Elseid Hysaj.

AlbaniaWeb.net