“SHBA e shqetësuar pas hyrjes së partive proruse në Qeverinë e Malit të Zi”, Ambasada amerikane: Janë kundër sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë
Partia proruse, Fronti Demokratik (DF) dhe Partia Boshnjake (BS) kanë hyrë në Qeverinë e Malit të Zi, pasi Parlamenti votoi më 23 korrik për riformatizmin e ekzekutivit.
Shtetet e Bashkuara thanë se janë të shqetësuara për përfshirjen e këtyre partive në Qeveri.
Partia proruse do të ketë dy poste të zëvendëspresidentit dhe do të udhëheqë dy ministri, ndërkaq partia boshnjake do të ketë një zëvendëspresident dhe pesë ministra.
Me hyrjen e këtyre partive, Qeveria e Malit të Zi tani do të ketë 32 anëtarë – Qeveria më e madhe në historinë e shtetit.
Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, gjatë adresimit të tij tha se Mali i Zi është në paqen më të mirë në historinë e tij.
“Kjo qeveri është garantuese e stabilitetit dhe pjekurisë. Ne jemi tregues se si serbët dhe shqiptarët, serbët dhe boshnjakët mund të jetojnë dhe punojnë së bashku”, tha Spajiq.
Duke komentuar hyrjen e partive proruse në ekzekutiv, përfaqësuesi i Partisë Demokratike të Socialistëve, Andrija Nikoliq, tha se Qeveria do të menaxhohet nga Moska dhe Beogradi.
“Koka dhe truri janë në Moskë. Koka e kësaj qeverie është [kryetari i Parlamentit] Andrija Mandiq, prandaj në të nuk ka asnjë malazezë”.
SHBA-ja, “e shqetësuar” me hyrjen e partive proruse në Qeveri
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Podgoricë shprehu shqetësim për përfshirjen në Qeveri të partive dhe liderëve që nuk e dënojnë agresionin rus kundër Ukrainës dhe janë kundër sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë.
Nga Ambasada amerikane thanë për Radion Evropa e Lirë se mbështesin një qeveri të përkushtuar për anëtarësimin e shtetit në BE, respektimin e vlerave euroatlantike dhe pjesëmarrjen e plotë në NATO, që pasqyron përbërjen multikulturore të Malit të Zi.
“Ne jemi të shqetësuar për përfshirjen në Qeveri të partive dhe liderëve që nuk dënojnë agresionin rus kundër Ukrainës, janë kundër sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë dhe veprimet e të cilëve janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me parimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë”, tha Ambasada amerikane.
Ambasada amerikane u bëri thirrje Qeverisë dhe deputetëve të mbesin të përqendruar në qëllimin e përbashkët, që është anëtarësimi i Malit të Zi në BE, dhe të shmangin çështje joproduktive që kërcënojnë këtë qëllim dhe shkaktojnë përçarje.
“Si aleate dhe partnere e ngushtë i Malit të Zi, SHBA-ja do të vazhdojë të mbështesë dhe njoh veprimet konstruktive të Kuvendit dhe Qeverisë, duke vënë në pah aktivitete që janë në kundërshtim me vlerat euroatlantike dhe rrezikojnë përparimin e prekshëm drejt integrimit. në Bashkimin Evropian”, tha Ambasada amerikane në një përgjigje për REL-in.
BE paralajmëron kundër rrezikimit të rrugës së Malit të Zi drejt bllokut
Edhe Bashkimi Evropian reagoi pas votimit në Parlamentin e Malit të Zi. Përmes një njoftimi për media, blloku tha se është thelbësore që forcat politike në Mal të Zi të vazhdojnë të veprojnë në mënyrë konstruktive për të ndërtuar konsensusin e nevojshëm për përparimin e reformave të lidhura me BE-në.
Në njoftimin e Komisionit Evropian u tha se ndryshimet në Qeveri janë çështje e brendshme e Malit të Zi. Megjithatë, KE tha se respektimi i plotë i politikës së jashtme dhe të sigurisë së Brukselit është thelbësor për rrugën e Malit të Zi drejt BE-së.
“Ne paralajmërojmë fuqishëm kundër çdo vendimi që mund të rrezikojë rrugën strategjike të vendit drejt BE-së, e cila mbështetet nga shumica dërrmuese e qytetarëve malazezë”, tha BE-ja.
Nga vendet e rajonit, Mali i Zi është lider në procesin e anëtarësimit në BE. Deri më tani, ai ka pasur përshtatje të plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, duke përfshirë sanksionet kundër Rusisë si përgjigje ndaj agresionit të Brukselit kundër Ukrainës.
Pas një ngecjeje njëvjeçare, vendi zhbllokoi negociatat e pranimit në bllok në fund të qershorit.
Ndryshe, ky është riformatizimi i parë i Qeverisë së Spajiqit, e cila u formua në fund të tetorit të vitit të kaluar me votat e 46 deputetëve nga 81 sa janë gjithsej.
Qeverinë, atëkohë, e mbështetën 13 deputetë të partive të DF-së, që u shpërbë së voni – përkatësisht Demokracia e Re Serbe e Andrija Mandiqit dhe Partia Popullore Demokratike e Millan Knezheviqit – me kushtin që t’i bashkohen Qeverisë këtë vit.
Politika e këtyre partive është në kundërshtim me politikën zyrtare të Malit të Zi, i cili është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Këto parti mbështesin heqjen e sanksioneve kundër Rusisë – të vendosura për shkak të agresionit të saj në Ukrainë – nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, janë kundërshtare të anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, mohojnë gjenocidin në Srebrenicë, mbështesin kriminelët e dënuar të luftës, Radovan Karaxhiq dhe Ratko Mlladiq, etj.
Përveçse mbështesin presidentin rus, Vladimir Putin, udhëheqësit e këtyre partive kanë marrëdhënie të ngushta politike edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe me presidentin e Republikës Sërpska, Millorad Dodik.
SHBA-ja, në disa raste, ka shprehur shqetësim për përfshirjen në pushtet të partive që kundërshtojnë vlerat euroatlantike.
Shqetësime të ngjashme kanë shprehur edhe institucionet evropiane.
Megjithatë, Kuvendi i Malit të Zi ka zgjedhur Andrija Mandiqin për kryetar në fund të tetorit të vitit 2023. Ai është mbështetur edhe nga përfaqësuesit e Lëvizjes së Spajiqit Evropa Tani./ REL
AlbaniaWeb.net