Mon, Nov 25, 2024

E ÇUDITSHME/ UEFA dënon Shqipërinë një muaj pas Europianit, gjobë dhe ndalim hyrje në stadium të tifozëve

  • PublishedJuly 24, 2024

Kur është mbushur fiks një muaj nga ndeshja e fundit e luajtur nga Shqipëria në Euro 2024, UEFA ka vendosur të japë një vendim disiplinor kundër Federatës Shqiptare për shkak të sjelljes së tifozëve.

Nëpërmjet një njoftimi, UEFA ka bërë të ditur se ka marrë një vendim ndaj SHqipërisë për shkak të ngjarjeve në ndeshjet Kroaci-Shqipëri dhe Shqipëri-Spanjë në Euro 2024, ku objektiv i hetimit ishte sjellja “raciste/ diskriminuese” e tifozëve shqiptarë.

“Komisioni i Etikës dhe Disiplinës vendosi të gjobitë FSHF 30 mijë euro dhe të ndalojë Federatën nga shitja e biletave për ndeshjen e saj të radhës në kompeticionet e UEFA-s si udhëtuese, për sjellje raciste dhe diskriminuese të mbështetësve të saj. Dënimi në fjalë për shitjen e biletave do të jetë i pezulluar në një periudhë prove prej dy vitesh”, shkruhej në njoftimin e UEFA-s.

Me pak fjalë, FSHF duhet të paguajë gjobën, ndërsa dënimi i pezullimit të shitjes së biletave ndaj tifozëve shqiptare në një ndeshje jashtë fushe, do të hyjë në fuqi vetëm nëse në dy vitet e ardhshme do të evidentohen incidente të ngjashme.

UEFA ka dhënë sot dënime të ngjashme edhe për Hungarinë, Austrinë, Slloveninë, Rumaninë, Kroacinë dhe Serbinë.

AlbaniaWeb.net