Një në katër familje jeton në banesa të vogla dhe të mbipopullurara
Shqipëria ka aktualisht mbi 356 mijë banesa të pabanuara ndërsa çmimet e apartamenteve janë dyfishuar përgjatë pesë viteve të fundit, duke u bërë shkak për mburrje për disa politikanë, si kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj. Por ndërsa çmimet janë rritur dhe shtëpitë e apartamentet kanë mbetur në masë bosh, një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve jetojnë aktualisht në apartamente të vogla, pavarësisht nëse kanë apo jo fëmijë.
Të dhënat e detajuara mbi kushtet e banimit të publikuara së fundmi nga INSTAT dhe të mbledhura nga Censi i vitit 2023, tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve jetojnë aktualisht në banesa të vogla dhe të mbipopulluara ndërsa vala e stërmadhe e ndërtimeve duket se ka prodhuar banesa të shumta bosh por jo ndonjë rritje të konsiderueshme në cilësinë e banimit të popullsisë.
Në total, nga 726 mijë familje që ka aktualisht në Shqipëri, 127 mijë ose 17% banojnë në shtëpi më të vogla se 40 metra katrorë ndërsa 342 mijë të tjerë ose 47% banojnë në shtëpi me sipërfaqe të përdorshme banimi prej më paj se 69 metra katrore. Vetëm 10.7% e familjeve kanë shtëpi me sipërfaqe mbi 100 metra katrore ndërsa 24% të tjera kanë shtëpi me sipërfaqe nga 70 në 99 metra katrore.
Logjikisht banesat e vogla duhet të zihen nga familje me një apo 2 anëtar, por në realitet nuk është gjithmonë kështu.
Familjet që dukshëm jetojnë në banesa të mbipopulluara, pra që kanë më pak se 70 metra katrorë në përdorim dhe kanë 4 apo më shumë anëtarë arrijnë në këtë mënyrë në 23% të totalit ose thuajse një në çdo katër familje. Nga këto, 5.6% banojnë në shtëpi më të vogla se 40 metra katrorë ndërsa 17.5% banojnë në shtëpi nga 40 në 69 metra katrorë.
Sipas statistikave të INSTAT, në vitin2023, 20 mijë familje me nga 4 anëtarë jetonin në shtëpi më të vogla se 40 metra katrorë dhe po kështu, 20 mijë të tjera që disponojnë shtëpi të tilla kanë 5 apo më shumë anëtarë.
Në kategorinë e shtëpive nga 40 në 69 metra katrorë banojnë thuajse 342 mijë familje por nga këto, gati 60 mijë familje kanë katër anëtarë ndërsa 68 mijë të tjera kanë 5 apo më shumë anëtarë.
Standardet për ta klasifikuar një banesë të mbipopulluar variojnë nga vendi në vend. Standardet në Mbretërinë e Bashkuar [link], mbipopullim quhet kur dy fëmijë të gjinisë së ndryshme kanë vetëm një dhomë për të fjetur ndërsa standardet e trajtimit me banesë në kohën e komunizmit parashikonin 9.5 metra katrorë për anëtarë familjeje.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se aktualisht në Shqipëri ka me mijëra familje që jetojnë në kushtet e mbipulliminit ekstrem të banesave pavarësisht bollëkut të banesave të lira. Kështu, 51 mijë familje jetojnë në banesa me dy dhoma dhe kanë katër anëtarë secila ndërsa 28 mijë familje jetojnë në dy dhoma dhe kanë pesë anëtarë. Në Shqipëri ka edhe 21 mijë familje që kanë gjashtë apo më shumë anëtarë dhe jetojnë në dy dhoma.
Aktualisht 57% e familjeve në Shqipëri jetojnë në shtëpi të vendosura në zonat urbane ndërsa 43% në shtëpi të vendosura në zonat rurale.
Në vitin 2023, në Shqipëri kishte 9,563 familje të cilat banonin në banesa me vetëm një dhomë pavarësisht se kanë 4 apo më shumë anëtarë.