Thu, Nov 28, 2024

“Po hanë turpin me bukë”, Artan Fuga denoncon opozitën për paktin me PS: Janë gati për të ngrënë mollën e mëkatit, ‘peshqit’ heshtin që të jenë në listë

  • PublishedJuly 26, 2024

“Po hanë turpin me bukë”, Artan Fuga sulmon opozitën për ndryshimet në Kod: Janë gati për të ngrënë mollën e mëkatit, ‘peshqit’ heshtin që të jenë në listë

Mumifikimi politik i opozitës

Duke u përgatitur të votojnë ndryshimet në kodin zgjedhor që :
fikson,
ngurtëson,
çimenton,
privilegjon,
bunkerizon,
allçizon,
betonizon,
mumifikon,
drejtuesit e partive, të cilët praktikisht në masën e një së tretës të kandidatëve për deputete, vetëmërohen si deputetë, pa pasur nevojë fare të marrin vota nga elektorati.
Grabisin votat e partisë.
unë e kuptoj vështirësinë e turpit të opozitës.

Po ha turpin me bukë. Dhe më vjen keq që këtë turp e mbron në publik dikush, si zoti Bylykbashi, që kisha shpresë se do të kishte një dinjitet që të mos e bënte këtë rol që i kanë dhënë a ka marrë vullnetarisht.

Opozita po bëhet gati për të ngrënë pa e kafshuar, gëlltitur si muhalebi, mollën e mëkatit. Duke e argumentuar turpin që po bën me lloj lloj sofizmash gjoja strategjish elektorale, harron se këtu kemi të bëjmë me një shkelje kushtetuese të rëndë, me pabarazi të qytetarëve, me funksionimin e shtetit, dhe jo se kush fiton dhe kush humbet një palë zgjedhje.

Deputetët si edhe tani do të vazhdojnë të ndahen në dy palë. Ata, bosat e partisë, që janë aty me shekuj, që nuk votohen, që grabisin votat e kandidatëve të tjerë për deputetë që i caktojnë vetë, që bëjnë ligjin, ata të përjetshmit, dhe ata që vijnë e ikin nga politika pa kuptuar as se ku ishin as se ku erdhën, thjesht marrin një dorë lekë çdo muaj dhe kaq.

Në këtë mënyrë partia politike kthehet në një mjedis antidemokratik ku ka “zotër” dhe “legena” që ngrejnë dorën. Detyra e tyre është që të mos bëzajnë, detyra e tyre është të heshtin, të pranojnë çdo lloj budalliku që vjen nga larg, ata rrinë si peshqit në ujë edhe kur u thonë dorëzoni mandatet, edhe ku u thonë merrni vulën, edhe kur u thonë dorëzoni vulën, edhe kur u thonë votoni, mosvotoni, në çdo rast.

Kush flet thyen paktin e heshtjes dhe rrezikon heqjen nga lista për kandidatë për deputetë.

Çdo lloj tjetër opozitarizmi është i kotë, hipokrit dhe me hilé nëse kur vjen fjala që për ligjin elektoral thyhesh në mes nga servilizimi jo për gjë, por se të pëlqen që edhe vetë mos votohesh nga elektorati yt. “Peshqit” heshtin sepse kanë hallin a do të jenë në listë apo jo.

Nga kjo anë opozita dhe pushteti janë krejt njëlloj. Dihet se në një vend ku pushteti del nga zgjedhjet, nëse ato janë të devijuara me ligj elektoral, çdo ves i shoqërisë aty e ka rrënjën.

Pasi siguron një vend pa u votuar në Kuvend si deputet i emëruar, pavarësisht se nuk je më veçse një ndihmës infermjer i thjeshtë, një sanitare, apo një ndihmës mami, a roje pavjoni, pra pasi e ke ngrënë “mollën e ndaluar”, pastaj bërtit sa të duash jo korrupsioni, jo ligji, jo kushtetuta. Të gjitha janë rjedhoja të asaj që ke bërë apo pranuar me ligjin elektoral.

Madje dil bërtit edhe në mitingje, gjithçka është hipokrizi.

Nga kjo anë, deputetët e të gjitha palëve janë njësoj, kanë interesa të përbashkëta, dhe bëjnë atë ligj elektoral që u intereson të gjitha palëve. Mos flasim për pushtet apo opozitë, në këtë plan, në këtë pikë ekuilibri, të gjithë janë njësh.

Prandaj, kam thënë dhe vazhdoj të them që ligjin elektoral nuk mund ta konceptojnë dhe ta votojnë deputetët sepse ata janë në konflikt të rëndë interesi duke bërë atë ligj që për turp bën që të jenë prej dekadash të njëjtët që riprodhojnë veten e tyre.

Prandaj kam thënë dhe them që nëse nuk ka një pushtet që kur deputetët “çmenden” në përhumbjen e interesave të qejfit të tyre, ta shpërndajë Kuvendin, si gjetiu, deputetët ka shumë mundësi ta humbasin logjikën politike dhe të flasin para gazetarëve idiotësitë më të pabesueshme në mbrojtje të ngrohtësisë që ndjejnë në vithe mbi kolltukun e deputetit.

Dhe këtu futet në lojë edhe aleanca perverse politikisht me ata që quhen kryetarë të partive pa elektorat. Ata si voton kush, kanë nevojë të grabisin votat e të gjithë kandidatëve që venë për të mbledhur vota etno-politike, krushqish, bashkëpatriotësh, vartësish, rrogëtarësh të mjerë që i kërcënojnë me vendet e punës në ndërmarrjet e tyre, etj., prandaj duan këtë ligjin elektoral me deputetë të fiksuar.

Kot flasin për monopole, oligarkë, e më the e të thashë. Monopoli më i ndyrë është ai politik. Dhe më i ndyri i të gjithë monopoleve të ndyra është monopoli mbi opozitën. Ju mbani të gjitha monopolet, ne mbajmë monopolin e të të qenurit në opozitë.

Ky lloj monopoli është shkatërrimtar për vendin. Ai e mumifikon sistemin politik, ai bllokon çdo rrotacion politik, aty është rrënja e korrupsionit në makrodimensionin e vet, aty është shkaku i largimit dhe i shpopullimit të vendit, ku shqiptarët ikin nga sytë këmbët ndërkohë që shohin se piramida e Kuvendit ka të njëjtët faraonë, apo feudalë, pastaj me radhë të njëjtët vasalë, agallarë, qehallarë, e kështu me radhë.

Dhe unë disi e kuptoj. Sa më lart të jesh në vendimmarrjen politike të partisë, sot ndodh paradoksi, aq më pak vota merr. Rrezikon që një i panjohur, madje çdo birbo, të marrë vota më shumë se çdo i dalë boje i ulur mbi monopolin politik prej dekadash ka mbledhur aq mosbesim, aq zhgënjime, aq thyrje bese ndaj elektoratit të vet, sa rrezikon të kthehet në shtëpi veç me torbën e votave bosh.



AlbaniaWeb.net