Thu, Nov 28, 2024

Gjendet i vdekur punëtori gjatë xhirimeve të filmit “Superman”

  • PublishedJuly 27, 2024

Një anëtar i ekipit të produksionit për filmin e fundit ‘Superman’ ka vdekur tragjikisht në Trilith Studios në Atlanta.

Ngjarja ndodhi mëngjesin e së mërkurës, 24 korrik, kur Departamenti i Policisë Fayetteville mori një raport për një anëtar të ekuipazhit.

Në vendngjarje u nisën forcat e rendit dhe personeli mjekësor. Pas mbërritjes, ata gjetën personin e vdekur nga një plagë e dukshme me armë zjarri. Gruaja ishte duke punuar në setin e drejtuar nga James Gunn, megjithëse roli i saj specifik nuk është bërë i ditur.

Kapiteni i Departamentit të Policisë Fayetteville Austin Dunn deklaroi se mundësia e një krimi është përjashtuar.

“Dëshmitë e mbledhura nuk zbuluan ndonjë dyshim për një krim të mundshëm,” tha Dunn.

Mbetet e paqartë nëse ngjarja ishte një rast vetëvrasjeje apo aksident.

Regjisori James Gunn informoi pjesën tjetër të ekuipazhit për incidentin, duke çuar në pezullimin e xhirimeve për atë ditë. Filmi ‘Superman’ është në javën e fundit të xhirimeve dhe është planifikuar të dalë në vitin 2025.