Exclusive/ Nga grumbullimi në Europian te marrëdhënia me lojtarët e tjerë kuqezi, rrëfehet Broja: Italia nuk ishte shumë e fortë, kishim mundësi ta fitonim
Në Europian Broja luajti 108 minuta, në formacion ndaj Italisë dhe nga stoli në pjesën e dytë përballë Spanjës, Europiani i tij i parë të cilin ai e shijoi bashkë me jehonën pas tij, ndryshe nga shumë shok skuadre, me pushimet që zgjodhi ti kalojë në bregdetin Shqiptarë, në Vlorë.
Në një intervistë në “Exclusive” me gazetarin Endi Tufa, ai flet për periudhën e grumbullimit në Europian, duke u ndalur dhe te marrëdhënia me shokët e tjerë të Kombëtares shqiptare.
Një periudhë pushimi që erdhi pas asaj atmosfere të Europianit apo edhe përpara Europianit, kur ishit të grumbulluar me shokët e ekipit. Si e përjetove këtë grumbullim, pasi nuk përjetove pjesën e parë të kualifikueseve, por pate fatin të ishte në aty ku duhej në Europian.
Ishte diçka komplet ndryshe sepse, për mua po flas, s’kisha qenë ndonjëherë aq shumë kohë në grumbullim. Ishim gati një muaj të grumbulluar dhe ishim çdo ditë me çunat, çdo ditë duke bërë diçka, jetuam bashkë me pak fjalë, ishim si një shtëpi si një familje.
Kur bëjmë grumbullimet në mars apo shtator, shihemi për 10 ditë apo 8 ditë maksimumi më pas të gjithë ikim në klubet tona. Këtu ishte një eksperiencë ndryshe për të gjithë lojtarët. Ishte diçka shumë e bukur për çunat e rinj si unë, një kënaqësi shumë e madhe, një gjë që ndoshta mund ta provosh vetëm një herë në jetë. Për këtë duhet të jesh shumë falënderues, jam kënaqur shumë që isha pjesë e Europianit dhe e kombëtares në një gjë kaq të mrekullueshme.
Ishte një eksperiencë e pabesueshme, për mua dhe për familjen që më kanë parë, por besoj dhe për njerëzit këtu në Shqipëri, pasi ishte hera e dytë që jemi kualifikuar në Europian dhe është diçka që nuk ndodh gjithmonë. Ndodh një herë në katër vjet dhe duhet ta vlerësojmë shumë.
Sa i përket futbollit, ishte kënaqësi të isha në fushë, të bëja stërvitje me të gjithë lojtarët dhe na bashkoi shumë si grup kjo gjë. Tani jemi lojtarë, si shok dhe si vëllezër. Edhe me trajnerët u kuptuam shumë më mirë bashkë se ishim të gjithë aty. Gjithçka shkoi shumë bukur edhe pse mund të shkonte më mirë, por prapë ishte një eksperiencë e veçantë.
Pak më sipër the se nuk kishe qëndruar ndonjëherë kaq shumë me shokët e skuadrës, pe diçka ndryshe, njohe dikë më shumë, që ndoshta më parë kishe një mendim tjetër dhe tani që ndenje e ke ndryshe?
Kur rri aq shumë me lojtarët i njeh shumë më mirë se si janë si djem, jo vetëm si lojtarë. Flet edhe për gjërat jashtë futbollit. Me Arbër Hoxhën kemi folur shumë pasi edhe ai ka patur një dëmtim njësoj si unë dhe folëm shumë edhe për atë pjesë. Ai është djalë shumë i mirë dhe lojtar shumë i mirë. Kështu krijuam lidhje me lojtarët, por edhe me ata që nuk i kisha takuar ndonjëherë.
Për herë të parë takova Medon Berishën, edhe ai shumë djalë i mirë, apo me portierin Simoni. Jemi shumë të bashkuar dhe prapë flas me ta në për telefona. Më përpara koha ishte më e shkurtër, vjen bën dy-tre ditë stërvitje, luan ndeshjen, stërvitesh ndeshje prapë dhe më pas ikën tek klubi, ndërsa këtu kemi bërë gati 3 javë stërvitje para dhe më pas kishim ndeshjet.
Në kohën e lirë që kemi pas kemi luajtur me njëri tjetrin, ping-pong, bilardo, letra, kemi ndejtur bashkë kemi bë muhabet, kemi pi kafe. Dhe ishte një gjë e bukur që kemi shpenzuar shumë kohë bashkë.
Ti ku je më mirë përveç futbollit, në bilardo apo në pingpong?
Unë ping-pongun pëlqej shumë dhe basketboll, këto të dyja.
Megjithatë mund të na tregosh pak eksperiencën tënde në ndeshjet, patëm tre ndeshje shumë të forta shumë të rëndësishme, ti more pjesë në dy prej tyre në ato minuta që luajte. Si ishin për ty këto ndeshjes sepse ti luan në Premier League, ku futbolli është gjithmonë festë dhe futbolli është në një nivel shumë të lartë, por kam përshtypjen që ishte ndryshe Europiani?
Po ishte shumë ndryshe sepse, siç e thash është një gjë shumë më e madhe se sa të luash në Premier League, sepse ti luan për një kombëtare, luan për një vend që është Shqipëria, po luan për gjithçka. Është diçka që vetëm lojtarët mund ta ndjejnë në fushë. Tifozët e shohin nga jashtë por nuk e ndjejnë si e ndjen ti në fushë. Për mua ishte diçka e veçantë, tifozët ishin të mrekullueshëm, na kanë dhënë një mbështetje shumë të madhe, na kanë bashkuar si ekip.
Kur dolëm për ndeshjen e parë ndaj Italisë dhe kur pamë 50 mijë shqiptarë në stadium, ishte çmenduri, nuk i kishim parë ndonjëherë, aq shumë të kuq në stadium. Diçka shumë shumë e bukur, një atmosferë e veçantë. Në atë ndeshje ka patur shumë emocione ndoshta se ishte ndeshja e parë.
Kemi patur disa lojtarë që nuk kanë luajtur kurrë në Europian, ashtu si edhe unë. Unë kam luajtur në Premier League dhe gjëra si këto, por është një ndjesi krejt ndryshe. Kur hyra në fushë më erdhi të bëja vetë wow…u çudita, por ishte shumë bukur. E humbëm ndeshjen e parë. Por të them të drejtën kishim shumë mundësi të fitonim ndeshjen, se kur pamë edhe ndeshjen Kroacia kundër Italisë, ata po fitonin 1-0 deri në fund kur bëri Italia golin, ndërsa ne kishim më shumë raste dhe mundësi ta fitonim atë ndeshje.
Kemi bërë golin shumë shpejt për 23 sekonda një gjë shumë e bukur se tani kemi një rekord në histori, atë që e ka Bajrami. E filluam si duhet atë ndeshje, bëmë gol shumë shpejt, por atëherë kur u bë goli, jo se kishim frikë, por më duket se e respektuam Italinë më shumë seç duhet. Nuk u bëmë agresiv, nuk shkuam përpara, por zbritëm mbrapa dhe qëndruam vetëm difensiv dhe ata luajtën futbollin e tyre. Por për mua kishim pas shumë mundësi ta fitonim atë ndeshje dhe do e fillonim me 3 pikë.
Për mua nuk është se Italia ishte shumë e fortë, por ne ishim, jo si në dy ndeshjet e tjera me Kroacinë dhe Spanjën. Me Kroacinë ishim super dhe me Spanjën luajtëm mirë, ndërsa me Italinë filluam avash, pas golit them.
Atëherë ata luajtën si të donin dhe na bën dy gola. Nuk është se na kanë mbytur në atë ndeshje, nuk kanë bërë diçka wow…që ata të gjuanin 20 herë në portë dhe ne një herë. Por ata kishin mbajtje topi shumë dhe ne donim ti kapnim ata në kundërsulm, ndërkohë që nuk patëm shumë raste ti kapnim.
Edhe ata bënin shumë faulle se janë ekip i organizuar shumë mirë. Italianët janë shumë difensiv dhe janë të përqendruar në taktikë. Por ishte ndeshje e vështirë pasi kanë qenë kampion Europe përpara 4 vitesh, janë normal ekip i mirë por kishim shumë raste për ta fituar.
AlbaniaWeb.net