Skandali me flamurin, Luiza Gega: Ishte imitim kinez, s’do pranoja të parakaloja
Sportistja Luiza Gega nuk ishte e pranishme në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike në Paris. Edhe pse nuk ishte e pranishme,ajo e ka ndjekur ceremoninë nga televizori si shumë shqiptarë të tjerë. Ajo ka shprehur kritika për flamurin që u mbajt nga ekipi shqiptar në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike.
Gega tha në një intervistë për Tv Klan se flamuri ishte imitim kinez dhe nëse ajo do të kishte qenë flamurmbajtëse, nuk do të kishte pranuar që të parakalonte me atë flamur.
“Ajo që nuk më pëlqeu është se vura re që flamuri ynë nuk ishte siç duhej, shqiponja nuk ishte shqiponja e vërtetë, pra ishte ai imitimi kinez dhe kjo nuk më pëlqeu, sepse mendoj që unë të paktën nuk do ta kisha pranuar kurrsesi. Duhet pasur një kujdes shumë i madh kur bëhet fjalë aq më tepër për flamurin, sepse kjo është arsye përse ne shkojmë aty, të prezantojmë kombësinë nga vijmë, ngjyrat e flamurit, etj.”, u shpreh ajo.
E pyetur nëse flamuri zgjidhet nga Komiteti Olimpik apo organizatorët, ajo tha se nuk e dinte me saktësi, ndërsa shtoi se ndryshimi dukej qartë tek kthetrat, sqepi apo qeofte dhe te bishti.
“Nuk e kam idenë të them të drejtën, vetëm e vura re nga rrjetet sociale dhe pashë… sepse e di shumë mirë sesi është shqiponja, qoftë tek kthetrat, qoftë tek sqepi, qoftë tek bishti. Po të kisha qenë flamurmbajtëse nuk do të kisha pranuar kurrsesi që të parakaloja me një flamur që nuk është i duhuri.”, tha Luiza.
Ajo tregoi se e mori vetë vendimin për të mos marrë pjesë në ceremoninë hapëse për shkak se garën e saj e ka në datën 4 gusht dhe do ishte e lodhshme për të shpjegoi të shkonte atje gati dy javë më herët.