Thu, Nov 28, 2024

Emigrantët në Gjadër, shtyhet data! Hapja do të bëhet pas disa javësh, BBC: Çfarë pritet të ndodhë

  • PublishedAugust 1, 2024

Plani i Italisë për hapjen e kampeve të refugjatëve në Shqipëri është shtyrë. 

Kryeministrja Giorgia Meloni kishte shpallur datën 1 gusht për inaugurimin e objekteve në veri të tokës së shqiponjave, për menaxhimin e flukseve të migrantëve që mbërrijnë në Europë, por punimet ekstra si dhe temperaturat e larta duket se kanë sjellë vonesa.

Reuters njofton se nuk ka ende një datë të re për hapjen e kampeve në portin e Shëngjinit dhe në Gjadër të Lezhës.

Pritshmëritë më herët ishin për t’i kthyer funksionale këto vendqëndrime për emigrantët e kapur në det deri në pranverë.

Ndërsa BBC i ka kushtuar gjithashtu një artikull kësaj marrëveshje dypalëshe mes Shqipërisë dhe Italisë duke dhënë detaje se qendrat priten të strehojnë deri në 3000 emigrantë në muaj.

Ky projekt, vlerëson gjiganti mediatik BBC, synon të përballojë sfidën e migracionit të parregullt. “Këto struktura do të menaxhohen tërësisht nga qeveria italiane, e cila ka financuar ndërtimin e tyre.

Migrantët që do të strehohen në këto dy kampe do të jenë ata që do të kapen në ujërat ndërkombëtarë, përjashto gratë, fëmijët dhe ata që konsiderohen të pambrojtur.

Pasi të mbërrijnë në këto qendra, migrantët do të kenë mundësi të kërkojnë azil në Itali. Nëse do t’iu refuzohet, ata do të dërgohen përsëri në vendet e sigurta për t’u kthyer, shkruhet në artikull.

“Në këto qendra do të zbatohet legjislacioni italian dhe europian. Është si të kesh një qendër në Itali, por në Shqipëri”, tha Fabrizio Buçi, ambasadori i Italisë në Shqipëri për BBC.

Marrëveshja e nënshkruar nga kryeministrja italiane, Meloni dhe kryeministri Edi Rama parashikohet të zgjas 5 vjet, dhe nëse rezulton e suksesshme do të vijojë më tej.



AlbaniaWeb.net