Thu, Nov 28, 2024

Rekrutuan dy policë për punët e tyre të pista dhe korruptuan gjyqtaren e Elbasanit/ Paratë e drogës i investonin në banesa, detaje nga veprimtaria e vëllezërve Çopja

  • PublishedAugust 1, 2024

Vëllezërit Franc dhe Hajdari Çopja, i njohur si “Dari i Elbasanit” rekrutuan dy punonjës policie për të kryer veprime në kundërshtim me detyrën për llogari të organizatës kriminale.

Ata gjithashtu korruptuan edhe ish-gjyqtaren e Elbasanit Pajtim Fetahun.

Pajtime Fetahu.

“Është evidentuar dhe rekrutimi i dy punonjësve të policisë së shtetit, për të kryer veprime në kundërshtim me detyrën për llogari të organizatës kriminale.

“Është evidentuar edhe fakti penal i“Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë, ”, ngjarje e ndodhur gjatë vitit 2020 në Elbasan  dhe “Korrupison aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”.

Gjithashtu hetimet kanë zbuluar edhe faktin penal të“Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”, nga një punonjëse  e administratës gjyqësore të Gjykatës së Shkallës  së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan,  kryer gjatë periudhës kohore shtator – tetor të vitit 2020, në Elbasan”, theksohet në njoftimin e SPAK për operacionin “Plumbi i Artë 2”.

Sipas SPAK, në lidhje me pastrimin e parave, nga të dhënat e siguruara nga organi i akuzës, rezulton se kjo organizatë kriminale ka investuar në Shqipëri një pjesë të të ardhurave të cilat rrjedhin nga aktiviteti kriminal i trafikut ndërkombëtar të drogës, kryesisht në tregun e pasurive të paluajtshme (nëpërmjet blerjes së pronave të ndryshme si apartamente, vila, bare e restorante dhe sipërfaqe toke), në qytetet Tiranë, Elbasan dhe Durrës.

Nga kryerja e hetimeve intensive janë përftuar të dhëna me interes në lidhje me pasuritë, investimet dhe pasuritë e dy vëllezërve në Shqipëri, format e përdoruara prej tyre si dhe personat e përfshirë në procesin e pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale.

Evidentohet përdorimi i sektorit të ndërtimit nga organizata kriminale, ku nëpërmjet personave të tretë ka injektuar dhe investuar shuma monetare të konsiderueshme cash për realizimin e punimeve të godinave të banimit në proces ndërtimi si dhe në ndërtimin e godinave/komplekseve të banimit prej fillimit.

Rezulton se, organizata kriminale ka investuar në çeljen e operatorëve ekonomik si dhe përdorimin e operatorëve ekonomik ekzistues me aktivitet në Shqipëri, të cilët “de jure” janë regjistruar në emër të lidhjeve të tyre shoqërore, miqësore dhe bashkëpunuese, duke mos ekspozuar poseduesit “de facto” dhe përdorimin e tyre si kamuflim/fshehje të natyrës së vërtetë të burimit dhe aktivitetit, me qëllim pastrimin e parave të cilat rrjedhin nga aktiviteti kriminal.

Gjithashtu, evidentohet se, shtetasi Franc Çopja, në raste të përsëritura ka realizuar transferimin e vlerave monetare të konsiderueshme cash nëpërmjet përdorimit të zyrave të këmbimit valutor (Exchange) brenda dhe jashtë vendit, duke ia dërguar personave të tij të besuar me qëllim, ndërmjet të tjerave edhe kryerjen e pagesës së vrasjeve të porositura si dhe kryerjen e investimeve për llogari të tyre në Shqipëri dhe jashtë saj.



AlbaniaWeb.net