Thu, Nov 28, 2024

1.2 milionë pasagjerë në korrik nga Rinasi, 70% të huaj! Rritet ndjeshëm numri, turisti: Ushqime të mira dhe çmime të lira

  • PublishedAugust 2, 2024

Rreth 1.2 milionë pasagjerë kanë shkelur në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës gjatë korrikut.

Shifra është ndjeshëm më e lartë se një vit më parë, duke theksuar edhe njëherë rëndësinë e Shqipërisë si një qendër lidhëse rajonale.

Rreth 70% e hyrjeve të muajit korrik ishin pasagjerë të huaj, ndërsa Rinas është gjithashtu edhe një portë e rëndësishme për turizmin në Shqipëri. Në shtatë muajt e parë të vitit shifrat nga TIA tregojnë se janë gati 6 milionë pasagjerë që kanë mbërritur në vend, ndërsa numri i të huajve që kanë vizituar Shqipërinë është rritur me 157% në këtë periudhë.

“Qëndruam 15 ditë në Shqipëri. Vizituam Tiranën, Durrësin dhe më pas shkuam poshtë në jug deri në Butrint, për tu kthyer më pas në Gjirokastër. Ushqimet ishin shumë të shijshme, ndërsa çmimet mjaft të mira. E sigurtë që do rikthehemi sërish”, u shpreh një turist.

“Ne kemi ardhur nga Irlanda dhe qëndruam dy javë. Jemi me origjinë nga Kosova dhe Shqipëria. Ishim në jug për të vizituar plazhet në Ksamil dhe Sarandë. Provuam ushqime fantastike dhe çmimet nuk ishin shumë keq. Kemi rënë në dashuri me këtë vend”, tha një tjetër.

Krahas rritjes së numrit të pasagjerëve, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës arriti një moment historik të ri operacional në korrik, duke procesuar 126 fluturime në mbërritje dhe 126 në nisje brenda një dite, duke numëruar gjithsej 252 fluturime – numri më i lartë i regjistruar deri më sot.

“Pjesa operacionale kuptohet është ajo që krijon pjesën e standardit që ne e mëshojmë gjithmonë në funksion të rritjes së numrit të pasagjerëve dhe përpunimit të avionëve. Nga menaxhmenti i lartë është krijuar mundësia që rritja e kapacitetit të shoqërohet me rritje të stafit dhe kapaciteteve të aeroportit dhe kjo ka filluar përpara nisjes së sezonit veror. Ka një bashkëpunim shumë të mirë dhe me strukturat e tjera siç është albcontroli, doganat dhe policia, që mundësojnë që pjesa operacionale të ecë në mënyrën e duhur”, tha Altin Janku, drejtor operacional.

Shifrat rekord të arritura brenda një periudhë të shkurtër kohore i dedikohen investimeve dhe menaxhimit të Kastrati Group, i cili vazhdon të përmirësojë dhe zgjerojë infrastrukturën dhe shërbimet e aeroportit duke e shndërruar në një faktor kyç të rritjes ekonomike të Shqipërisë.



AlbaniaWeb.net