Ambasadorët e vendeve të QUINT-it, takim me Kurtin/ Ambasadori Hovenier: Nuk mbështesim asnjë ndryshim të statusit aktual të urës së Mitrovicës
Ambasadorët e vendeve të QUINT i shkuan këtë mëngjes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Ambasadori amerikan Jeff Hovenier në një deklarim shumë të shkurtër pas takimit, u shpreh që në konsultim me NATO-n, nuk e mbështesin hapjen e Urës së Ibrit.
“Përfaqësuesit e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë dhe BE-së u takuam me kryeministrin Kurti për ta informuar që qeveritë tona në konsultim me NATO-n nuk mund ta mbështesin asnjë ndryshim të statusit aktual të urës së Mitrovicës“, tha ai.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, një ditë më parë, reagoi pas kërkesës së Bashkimit Evropian, “që hapja e urës së Ibrit duhet të diskutohet në Bruksel”.
Osmani tha që një çështje e tillë nuk duhet të diskutohet në dialog dhe se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç nuk mund të “pyetet se kur do të hapen urat për qarkullim në Republikën e Kosovës. Ajo shtoi se bërja temë e kësaj çështje në dialog me Serbinë do të ishte shkelje e rëndë e integritetit territorial dhe kushtetueshmërisë së Kosovës.
Kurti doli nga objekti i qeverisë pas takimit pa komentuar mbi takimin.
AlbaniaWeb.net