Fluks kalimesh në portin e Durrësit/ 26 sportele për të shmangur vonesat, në korrik tragetet sollën 85 mijë persona
Mijëra persona mbërrijnë çdo ditë në portin detar të Durrësit për të kaluar pushimet verore në Shqipëri. Janë kryesisht emigrantë, por dhe shumë shtetas të huaj.
Gjatë muajit korrik, tragetet që lidhin portin e Durrësit me portet italiane të Barit dhe Ankonës sollën mbi 85 mijë persona dhe 21 mijë automjete. Ndërkaq gushti sjell të tjera flukse udhëtarësh në portin më të madh të vendit, ku punohet me kapacitet të plotë.
26 sportele të policisë kufitare dhe doganës janë në funksion të udhëtarëve dhe automjeteve për të mundësuar një përpunim të shpejtë dhe pa vonesa.
Tragetet kanë dyfishuar lundrimet e tyre për të përballuar këtë fluks lëvizjesh mes dy brigjeve të Adriatikut.
Sipas Kapitenerisë së portit të Durrësit, sot pritet të mbërrijnë me 5 tragetet e linjave detare 6 300 persona, ndërsa do të largohen drejt Italisë 2 000 udhëtarë të tjerë.
AlbaniaWeb.net