Tensionet Prishtinë-Shkup/ Kosova, notë proteste për incidentin me Osmanin. Reagon RMV: Do marrim masa
Kosova i ka dërguar notë proteste Maqedonisë së Veriut për incidentin në Aeroportin e Shkupit.
Ministria e Punëve të Jashtme njoftoi të premten se pas takimeve dhe diskutimeve me përfaqësuesit e institucioneve të Maqedonisë së Veriut ku ka shprehur shqetësimet për rastin ku Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit iu kërkua telefoni gjatë kontrollit të sigurisë në aeroport.
“Ministrja Gërvalla ka paraqitur një notë proteste pranë autoriteteve të Maqedonisë së Veriut, duke kërkuar sqarim të menjëhershëm dhe të plotë për këtë incident. Njëkohësisht, është kërkuar që autoritetet maqedonase të ndërmarrin masa të menjëhershme për të hetuar këtë rast dhe për të siguruar që ngjarje të tilla të mos përsëriten në të ardhmen”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.
Në anën tjetër, Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut ka shprehur keqardhje për incidentin me Presidenten e Kosovës.
Në një komunikatë kanë njoftuar se kanë kërkuar informacion mbi ngjarjen dhe do të marrin masa.
“Pas një analize adekuate të të dhënave të mbledhura në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me Ministrinë e Punëve të Brendshme, do të ndërmerren të gjitha aktivitetet dhe masat e nevojshme, me qëllim kryesor shmangien e dukurive dhe situatave të tilla apo të ngjashme në të ardhmen”, kanë thënë nga Ministria e Jashtme.
Paraprakisht Presidenca e Kosovës kishte reaguar duke thënë se Ministria e Punëve të Brendshme maqedonase duhet të kërkojë falje e jo të arsyetojë kërkesën e sigurimit të aeroportit për ta marrë dhe vendosur në skaner telefonin personal të presidentes së Kosovës.
“Në fakt sot edhe a Aeroporti i Shkupit, por edhe vet MPB e Maqedonisë pranuan se urdhri ishte dhënë nga MPB e Maqedonisë së Veriut për një kontroll të tillë, i cili bie ndesh në tërësi me rregullat e trajtimit të krerëve të shtetit sipas praktikave diplomatike”, thuhet në reagimin e presidencës.
AlbaniaWeb.net