Wed, Nov 27, 2024

Mbyllen kutitë e votimit në Himarë: Qindra qytetarë privohen nga e drejta e votës

  • PublishedAugust 4, 2024

Mesditën e të dielës, një 86-vjeçar ishte ulur në shkallët e kishës së Shën Mërisë në qendër të fshatit Vuno, në një aneks të së cilës ishte ngritur edhe qendra e votimit për zgjedhjet e pjesshme për kryebashkiak në bashkinë Himarë.

Edhe pse pak metra larg kutisë së votimit, i moshuari i cili tha se kishte dalë në pension kur Adil Carçani ishte akoma kryeministër, u shfaq i painteresuar për procesin zgjedhor dhe herën e fundit kishte votuar pesë apo gjashtë vite më parë.

I pyetur nga ky gazetar nëse ishte i zhgënjyer nga politika, ai më dha një shikim zhbirues dhe tha: “Nuk jam i zhgënjyer nga politika, jam i zhgënjyer nga demokracia”.

Pas zgjedhjeve të së dielës në bashkinë Himarë, ku qindra votuesve iu mohua e drejta për të votuar për kandidatët për kryebashkiak – shumica prej tyre të moshuar, numri i votuesve të zhgënjyer nga sistemi me gjasë është rritur.

Sipas kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, në bashkinë Himarë ka rreth 6 mijë qytetarë që i ka skaduar dokumenti i identifikimit. Kjo shifër është e ngjashme me zgjedhjet e shkruara dhe me gjasë shumica e këtyre qytetarëve nuk janë rezidentë.

Celibashi u shfajësua duke vënë në dukje se nuk është institucioni përgjegjës për shtyrjen e vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit, ndërsa shtoi se duhet të ishin kandidatët dhe votuesit që duhet të interesoheshin me Ministrinë e Brendshme për shtyrjen e afatit të vlefshmërisë së kartave të identitetit.

“Janë rreth 6 mijë votues të cilët dokumenti ose u ka skaduar ose u skadon deri ditën e sotme, dua të them që gati po e njëjta shifër ka qenë edhe në zgjedhjet e kaluara, nuk kishin një dokument ID të vlefshëm,” tha ai.

“Është interes që lidhet me vetë votuesit kandidatët dhe pjesëmarrësit në garë,” shtoi Celibashi.

Zgjedhjet e pjesshme në Himarë mbahen pas arrestimit të Fredi Belerit, kandidatit të zgjedhur nga radhët e opozitës, i cili më vonë u dënua për blerje votash dhe iu hoq mandati nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Kandidatët për kryebashkiak në Himarë janë , nga Partia Socialiste dhe , nga Partia Demokratike, i mbështetur nga PBDNJ dhe OMONIA.

Me profesion mjek, Tavo është zgjedhur disa herë deputet në Kuvendin e Shqipërisë si përfaqësues i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Përpara se të kandidonte si kryebashkiak për bashkinë Himarë, ai mbajti për disa muaj postin e Prefektit të Vlorës. Ndërkohë rivali i tij Petro Gjikuria është një biznesmen shqiptaro-amerikan me origjinë nga Dhërmiu.

Në zgjedhjet e së dielës në Bashkinë Himarë kanë të drejtë vote 23,074 qytetarë, dhe deri në orën 18:00 kishin votuar 36% e votuesve. Duke marrw parasysh se tw dhwnat e pjeswmarrjes nuk janw pwrfundimtare, sakaq me 573 vetë, një rritje me 7% në pjesëmarrje. Rritja është e dukshme në të trija njësitë, por më e theksuar në Himarë.

Megjithatë, kundrejt pjesëmarrjes së lartë  vetëm në një qendër votimi në Himarë fshat, komisioni i QV-së i tha BIRN se të paktën 10% të votuesve i ishte mohuar e drejta e votës për shkak të dokumenteve të indetifikimit të skaduara.

Në një deklaratë për shtyp kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule, deklaroi se dokumentet e identitetit që u ka kaluar afati duhet të vazhdonin të ishin të vlefshme, pasi zgjedhjet e së dielës një vazhdimësi e zgjedhjeve vendore të vitit 2023.

“Në këto zgjedhje, mbi 6 mijë zgjedhës, u privohet e drejta kushtetuese e zgjedhjes, me mos nxjerrjen e vendimit përkatës nga qeveria, për të votuar me mjete identifikimi që u ka kaluar data e skadencës,” tha ai.

“Këto zgjedhje janë vazhdim i zgjedhjeve të 2023, dhe për rrjedhojë, duke qenë i njëjti mandat nuk duhej vendim i ri, ishte i mjaftueshëm ai i 2023,” shtoi Dule.

Akuza ndaj mazhorancës kishte dhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha.

“Me urdhër te Edi Ramës sot nuk u lejuan të votojnë për shkak të datës së kartave të identitetit, qindra qytetarë të identifikuar kryesisht mbështetës të opozitës,” deklaroi Berisha.

“Ky është një akt i pa precedent, një krim shtetëror elektoral, dhunim i Kushtetutës që ka si qëllim të vetëm manipulimin e rezultatit zgjedhor,” shtoi Berisha.

Edhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ishte kritik për vendimin për të mos lejuar votues me karta identiteti që u ka skaduar afati.

“Përjashtimi i qëllimshëm antikushtetues i 6157 qytetarëve të Bashkisë së Himarës nga e drejta e votimit, me preteksin e skadimit të dokumenteve të identifikimit është një krim i shëmtuar elektoral i Edi Ramës në funksion të grabitjes së zgjedhjeve,” tha Meta.