COVID-19 në Lojërat Olimpike në Paris, OBSH: 40 atletë të infektuar
Më shumë se 40 atletë në Lojërat Olimpike të Parisit kanë rezultuar pozitivë me COVID-19, duke theksuar një rritje të re globale të rasteve pasi mbulimi i vaksinimit bie, njoftoi sot Organizata Botërore e Shëndetësisë. Notari britanik Adam Peaty rezultoi pozitiv një ditë pasi fitoi medaljen e argjendtë në 100 metra, kur nuk ishte ndjerë mirë, tha ekipi i tij. Shpresa australiane për medalje Lani Pallister u tërhoq nga 1500 metra stil i lirë për femra pasi u sëmur, shkruan Dailymail.
“Nuk është për t’u habitur të shohësh atletë të infektuar, sepse virusi qarkullon mjaft shpejt në vende të tjera.Në muajt e fundit, shumë vende kanë regjistruar shpërthime të Covid, përfshirë në Lojërat Olimpike, ku të paktën 40 atletë rezultuan pozitivë,” tha Maria Van Kerkhove, një epidemiologe përgjegjëse për gatishmërinë ndaj epidemisë dhe pandemisë në OBSH, gjatë një konference për shtyp në Gjenevë.
Van Kerkhove tha se shefat e Paris 2024 dhe OBSH-ja kishin punuar së bashku për të parandaluar qarkullimin e sëmundjeve në Lojëra dhe po merreshin masat e duhura. Në mbarë botën, shkalla e pozitivitetit të testit është mbi 10%, por në Evropë, shifra është mbi 20%.