Harris dhe Walz bëjnë fushatë së bashku për herë të parë, kritikojnë Trump-in dhe kandidatin e tij: Tallen me ligjet tona, mbjellin kaos dhe urrejtje
E nominuara demokrate për presidente, Kamala Harris, dhe kandidati i saj për nënpresident, guvernatori i Minesotas, Tim Walz, bënë fushatë për herë të parë së bashku më 6 gusht në Filadelfia.
Në fjalimin e tij para një turme prej më shumë se 10.000 personash në Universitetin Temple, Walz tregoi për fëmijërinë e tij në një qytezë të vogël në Nebraska, për shërbimin e tij 24-vjeçar në Gardën Kombëtare Ushtarake dhe për karrierën e tij si arsimtar në një shkollë të mesme dhe trajner futbolli.
“Nxënësit e mi më inkurajuan që të garoja për një post publik”, tha ai. “Ata panë në mua atë që unë shpresoja të rrënjosja te ta: angazhimin për të mirën e përbashkët dhe besimin se një person mund të bëjë dallimin”.
Gjatë fjalimit, ai po ashtu kritikoi të nominuarin republikan për president, Donald Trump, dhe kandidatin e tij për nënpresident, senatorin JD Vance.
“Ai tallet me ligjet tona, ai mbjell kaos dhe ndarje”, tha Walz për Trumpin. “Ai u ngri gjatë krizës me COVID-in, e përplasi për toke ekonominë tonë dhe numri i krimeve të dhunshme ishte i lartë gjatë [mandatit presidencial] Donald Trumpit. Le të mos i numërojmë krimet që ai ka kryer”, shtoi Walz.
Harris hyri në garë për Shtëpinë e Bardhë pasi presidenti Joe Biden u tërhoq nga gara për rizgjedhje para pak më shumë se dy javësh.
Walz kritikoi politikat e republikanëve për kufizimin e të drejtave riprodhuese të grave, një temë që po përcjell republikanët që kur Gjykata Supreme amerikane më 2022 i dha fund të drejtës kushtetuese për abort.
“Edhe nëse ne nuk bëjmë një zgjidhje të tillë për vete, është një rregull i artë: shikoni punën tuaj”, tha ai, teksa kjo deklaratë u prit me ovacione nga të pranishmit.
Harris, që foli para Walzit, e prezantoi atë, duke ai listuar të gjithë titujt – bashkëshort, baba, mësues, trajner, veteran, kongresist dhe guvernator – dhe në fund tha se pas zgjedhjeve të 5 nëntorit ai do të bëhet nënpresidenti i ri i SHBA-së.
“Ai është një njeri që i bën të tjerët të ndihen mirë dhe i inspiron ata që të kenë ëndrra të mëdha”, tha ajo.
Harris tha se Walz është “një lider që mund të ndihmojë në bashkimin e shtetit tonë dhe që të lëvizim përpara si dhe është një luftëtar për shtresën e mesme”.
“Fushata jonë nuk është vetëm një luftë kundër Donald Trumpit. Fushata jonë, kjo fushatë, është luftë për të ardhmen”, tha ajo.
Harris njoftoi për zgjedhjen e Walzit si kandidat për nënpresident më 5 gusht.
Walz, 60-vjeçar, më 2006 u zgjodh nga një zonë me prirje republikane për t’u bërë anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, dhe shërbeu aty për 12 vjet, para se të fitonte pozitën e guvernatorit të Minesotas, më 2018. Walz ka çuar përpara një agjendë progresive që përfshin shujta falas në shkolla, synimet për luftim të ndryshimeve klimatike, ulje taksash për klasën e mesme dhe rritje të numrit të ditëve të pushimit për punëtorët e Minesotas.
Trump dhe Vance e kanë kritikuar Walzin, menjëherë pasi Harris njoftoi se e kishte zgjedhur atë për të garuar për postin e nënpresidentit.
Sipas Trump dhe Vance, ai është shumë liberal.
“Kjo është dyshja më radikale e së majtës në historinë amerikane”, shkroi Trump në platformën e tij sociale.
Vance ndërkaq e kritikoi Walzin për mënyrën se si ai menaxhoi protestat pasi George Floyd, një person me ngjyrë, u vra në Mineapolis nga një zyrtar policor më 2020, duke thënë se ai nuk ishte i vendosur mjaftueshëm për t’u përballur me protestuesit.
Amerikanët gjatë zgjedhjeve zakonisht fokusohen në kandidatin për president, por kandidati për nënpresident mund të ndihmojë apo mund të dëmtojë kandidatin për president në bazë të të kaluarës së tyre, popullaritetit që kanë në shtetin e tyre dhe aftësisë për të fituar vota në shtete të rëndësishme apo për të marrë votat e votuesve të pavarur.
Pas tubimit zgjedhor në Filadelfia, Harris dhe Walz planifikojnë të vizitojë edhe shtetet e tjera kyçe, përfshirë Viskonsinin, Arizonën dhe Nevadën. Vance po ashtu bë bën një turne të ngjashëm, me ndalesa që përfshijnë Miçiganin dhe Viskonsinin.
AlbaniaWeb.net