Java e së vërtetës, Nico Williams gati t’i bashkohet Yamal-it tek Barça
“Telenovelës” Nico Williams duket se po I vjen fundit. Dëshira e madhe e tifozëve katalanas po jo vetëm, për t’I pare sërish bashkë, në të njëjtën skuadër dyshen e “La Roja-s”, Williams dhe Yamal, mund të bëhet realitet Brenda kësaj jave.
Gazeta “Sport”, duke u nisur nga burime brenda klubit blaugrana ka bërë me dije se vetë sulmuesi i Bilbaos dhe kombëtares spanjolle i ka dhënë miratimin e tij një transferimi te Barcelona. “Na ka thënë se kërkon të vijë te ne (Barcelona) brenda merkatos së verës”, raporton gazeta “Sport”, referuar burimeve konfidenciale nga klubi i Barcelonës. Niko Uilliams është lojtari për të cilit te Barcelona nuk kanë reshtur së foluri dhe mbi të gjitha nuk kanë reshtur së besuari se ai do të vihet nën urdhrat e trajnerit Hansi Flik. Njëkohësisht ai do të jetë shok skuadra me Lamine Jamal, që së bashku ishin dy nga shtysat më të forta të Spanjës drejt titullit të katërt kampion Europe.
Ndërkaq, të njëjtat burime nga klubi i Barcelonës kanë bërë me dije se kupola drejtuese e Barçës po lëviz të gjitha “levat” për të gjetur mënyrën e sigurimit të burimeve financiare të nevojshme për nënshkrimin me sulmuesin spanjoll. Madje, optimizmi ka mbërritur në qiell te Barcelona, teksa besojnë se marrëveshja me Atleti Bilbaon dhe me Niko Uilliams mund të mbyllet brenda kësaj jave, ose në javën e ardhshme. Sipas “Sport”, ajo që ka ndryshuar situatën është dëshira e lojtarit për t’u transferuar te Barcelona.
Por megjithatë, në klub janë të qartë se duhet të nxitojnë, pasi për nënshkrimin e Niko Uilliams nuk do të mjaftonin thjesht ato 58 milionë euro që ka vendosur Bilbao si klauzolë për largimin e tij. Këtu duhen shtuar edhe 4 milionë euro të tjera për çështjet procedurale e administrative për federimin e lojtarit. Për të mbërritur më pas te kontrata e lojtarit, pasi Barcelona është e detyruar të sigurojë një pagesë në lartësinë e emrit të sulmuesit të kombëtares spanjolle.