Ndryshimet në “Rregulloren e lojës 2024/25” & testet fizike, 55 arbitra & asistentë gati për edicionin e ri të Kategorisë Superiore
Sektori i Arbitrimit në Federatën Shqiptare të Futbollit përmbylli me sukses këtë fundjavë testet fizike dhe seminaret teorike për 55 arbitrat dhe asistentët e kampionatit “Kategoria Superiore” në prag të nisjes së sezonit futbollistik 2024-2025.
Pasditen e së premtes, arbitrat dhe asistentët e kampionatit “Kategorisë Superiore” iu nënshtruan testeve fizike në ambientet e “QKS Kamëz” me rezultatet që ishin mjaft të mira, ndërsa të shtunën dhe të dielën u zhvilluan edhe seminaret teorike, ku mori pjesë edhe Instruktori i UEFA-s, Costas Kapitanis dhe shefi i Sektorit të Arbitrimit, Sokol Jareci.
Gjatë seminareve teorike u analizuan dhe u diskutuan aspekte të ndryshme të arbitrimit, duke u përditësuar me disa nga ndryshimet në “Rregulloren e lojës 2024/2025”, ku një nga çështjet kryesore ishte ajo e “Sjelljes së re të kapitenit të ekipit”, që u pa edhe në finalet e Kampionatit Europian “Gjermani 2024”. Një nga temat e seminarit teorik ishte edhe “Përgatitja Mendore, si ndikojnë emocionet në vendimmarrje”, ku arbitrat dhe asistentët mësuan më shumë rreth kësaj teme nga profesor Abdullah Veliu.
55 arbitrat dhe asistentët patën mundësi të shkëmbenin vazhdimisht mendime për raste të caktuara të ndeshjeve, teksa në fund iu nënshtruan edhe një testimi teorik, për të provuar njohuritë e tyre.