Fri, Nov 29, 2024

“Paris 2024” u mbyll, ekipi shqiptar kthehet në atdhe me 2 medalje

  • PublishedAugust 12, 2024

 U kthye në atdhe, ekipi i atletëve që përfaqësoi Shqipërinë në “Lojërat Olimpike Paris 2024”. 8 atletët u mirëpritëm me një ceremoni në Rinas, ndërsa Chermen Valiev dhe Islam Dudaev ishin dy heronjtë e Shqipërisë në këto Lojëra Olimpike. Presidenti i KOKSH, Fidel Ylli mbajti një deklaratë për mediat, ku u shpreh se futbollistët janë themeli për të ndërtuar një të ardhme per sportin shqiptar dhe qeveria duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje.

“Ditë e rëndësishme për sportin shqiptar pasi kemi hyrë në listë, kjo falë dy mundësave tanë të jashtëzakonshëm që na bënë krenarë që në arenën e Parisit ngritën flamurin shqiptar, që të gjithë e kemi endërruar që njëherë, që të shkonte në majat më të larta të sportit botëror. Ne të gjithë bashkë u munduam me bashkinë e Tiranës, ministrinë, federatën e mundjes. Këta sportistë janë gurë themeli për të ndërtuar një të ardhme për sportin shqiptar, për t’i dhënë sinjale qeverisë që duhet më shumë vëmendje se janë ambasadorët më të mirë të Shqipërisë”, tha Ylli.

Ndërsa dy mundësit u shprehen se Shqipëria do të jetë në zemrat e tyre dhe se synojnë të sjellin medaljen e artë për vendin tonë.

“Faleminderit Shqipërisë, e kam në zemër”, tha Valiev.

“Jam shumë i lumtur, do Zoti në herën tjetër medalje të artë për Shqipërinë”, tha Dudaev.

Valiev fitoi më 10 gusht, duke i siguruar Shqipërisë medaljen e parë olimpike në histori, ndërsa Dudaev siguroi medaljen e dytë të bronztë pas fitores më 11 gusht. Shqipëria më në fund u rendit mes ekipeve që kanë siguruar medalje në një Olimpiadë dhe ka bërë të mundur që të renditet jashtë listës së zakonshme të “pjesëmarrjes dinjitoze” ku renditej zakonisht. Falë dy medaljeve të bronzta, Shqipëria e sheh veten në vendin e 80 në klasifikimin e përgjithshëm, me po aq medalje sa Grenada, Malajzia dhe Porto Riko.