Thu, Nov 28, 2024

Trajnerit i ri i Kombëtares U-17, Andrea Tedesco teston 21 lojtarë kuqezi

  • PublishedAugust 12, 2024

Nën drejtimin e trajnerit të ri të Kombëtares U-17, Andrea Tedesco, 21 lojtarë të kësaj grupmoshe, të cilët janë pjesë e klubeve dhe akademive të futbollit shqiptar zbritën pasditen e sotme në fushën e “Shtëpisë së Futbollit” dhe zhvilluan një seancë stërvitore në kuadër të projektit “Step by Step”.

Trajneri i ri italian, i cili u zyrtarizua në krye të kuqezinjve U-17 pak javë më parë, pati mundësinë të shikonte dhe të punonte nga afër me disa nga lojtarët më të talentuar të kësaj grupmoshe. Stërvitja e sotme, që zgjati rreth 2 orë u fokusua më shumë në aspektin fizik, teknik si edhe taktik individual.

Kjo seancë stërvitore u ndoq nga afër edhe nga Drejtori Teknik i FSHF-së, Fulvio Pea, shefi i Skautizmit të FSHF-së, Ardi Behari si edhe anëtarë të stafit të përgatitësve atletikë të Kombëtares dhe përfaqësues nga sektori i zhvillimit të portierëve në FSHF.

Më 26 gusht, kuqezinjtë U-17 do të zbresin sërish në fushë, për një tjetër seancë stërvitore në kuadër të projektit “Step by Step” që ka si qëllim të angazhojë të gjithë futbollistët e kësaj grupmoshe që janë pjesë e klubeve dhe akademive shqiptarë, në mënyrë që të rritet sa më shumë cilësia e lojtarëve vendas, ku pretendohet që këta të fundit të bëhen baza e ekipeve kombëtare të moshave.

AlbaniaWeb.net