Zyrtare/ Atletico Madrid prezanton sulmuesin kampion bote (FOTO)
Julian Alvarez është goditja e madhe e Atleticos së Madridit në merkaton verore. Klubi spanjoll ka arritur marrëveshjen me Manchester Cityn në lidhje me sulmuesin argjentinas, kampion bote si protagonist në Katar 2022.
24-vjeçari kërkonte më shumë aktivizim me kampionët e Anglisë, diçka që ia siguron Diego Simeone tek Atletico e tij. Alvarez do të firmosë për 5 vite me “Los Colchoneros”. Ndërkohë që Citizens do të përfitojnë rreth 95 mln euro përfshirë bonuset (75+20) nga kartoni i futbollistit argjentinas. Zyrtarizimi ka ardhur nga klubi spanjoll.
Atletico do të jetë ekipi i dytë europian për ish-lojtarin e River Plate, i cili te Manchester City fitoi titullin (2x), FA Cup, Champions League, Superkupën e Europës dhe Botërorin për Klube. Tani zbarkon në kryeqytetin spanjoll për të dhënë kontributin e tij me gola që të ndihmojë Atleticon në garën e zjarrtë përballë Realit e Barçës për fitimin e La Ligës.
Me kombëtaren e Argjentinës, Alvarez ka fituar Kupën e Botës 2022 dhe dy herë Kupën e Amerikës (2021, 2024). 9 gola ka shënuar në 36 takime me fanellën albiceleste.