Kumbulla e mbyll me Romën! Mbrojtësi kuqezi nuk është në planet e De Rosit, por do të qëndrojë në Itali
Marash Kumbulla është ende në kërkim të një ekipi të ri, pasi Roma e Daniele de Rossit duket se nuk ka më hapësira për shtatlartin shqiptar.
Pasi ka kaluar përfundimisht dëmtimin e rëndë, Kumbulla po shqyrton ofertat për të gjetur klubin ku do të vijojë karrierën e tij. Kërkesat kanë qenë të shumta, por mbrojtësi duket se ka ende dilema.
Parma shfaqi interes, por nuk ka bërë asnjë hap tjetër konkret për të finalizuar një marrëveshje. Ndërkohë, ka shfaqur interes klubi i Empolit, i cili mund ta bashkojë në qendër të prapavijës me Ardian Ismajlin.
“Sky Sport” bën të ditur se ka pasur një kontakt të parë mes klubeve, por duket se vetë Kumbulla nuk është shumë i bindur nga propozimi i toskanëve. Ai kërkon një klub që nuk lufton për mbijetesën, pasi dëshiron të luajë në nivelet me të larta, ndaj është në pritje të ofertave të tjera.
AlbaniaWeb.net