Wed, Nov 27, 2024

Hetimi i ngjarjes së rëndë të Pogradecit, dyshimet pse Prokuroria zbuti veprën penale për Denis Meçen

  • PublishedAugust 15, 2024

Ngjarja e rëndë e Pogradecit ku mbeti i vrarë Egli Proga dhe pak orë pas ngjarjes u arrestua autori i saj Denis Meçe, u bë lajmi më i rëndësishëm i këtyre ditëve të nxehta të gushtit.

Kjo edhe për shkak të disa raportimeve fillestare mbi mënyrën se si ndodhi vrasja e Progës, por edhe pas reagimit të familjarëve që hodhën akuza të rënda për mënyrën se si po hetohej ngjarja.

Ajo që dihet tashmë zyrtarisht, e konfirmuar edhe nga policia, është fakti se viktima, në gjendje të dehur, ka shkuar në lokalin ku ndodhi më pas vrasja për të pirë sërish.

Megjithëse u raportua se sherri mes Progës dhe Meçes ka ndodhur për shkak të gjobëvënies nga ky i fundit, asnjë dëshmitar dhe asnjë dokument zyrtar nuk e provon këtë.

Sipas të dhënave zyrtare, përveç viktimës që ka qenë në gjendje të dehur, edhe autori, siç ka deklaruar edhe vetë, ka qenë edhe ai në gjendje të dehur.

Sherri ka nisur mes dy personave në gjendje të dehur, ku viktima pasi i ka dhënë një cigare autorit, ka nisur ta shajë.

Të dy më pas kanë dalë jashtë dhe Meçe e ka goditur Progën duke i shkaktuar atij vdekjen. Sipas raportimit, pasi është goditur Proga ka rënë fillimisht mbi një makinë dhe më pas koka e tij ka rënë në toke.

Dinamika është përshkruar në materialin zyrtar që policia i ka dërguar Prokurorisë, bashkë edhe me njoftimin që i ka shkuar urgjencës në momentin që është lajmëruar për ngjarjen.

Nisur nga kjo kronologji dhe pyetjes së dëshmitarëve, çuditërisht prokuroria ka regjistruar veprën penale “vrasje nga pakujdesia”, duke e zbutur rrjedhimisht edhe dënimin e tij nëse do të shpallet fajtor.

Gjykata nga ana e saj ka lënë në fuqi masën që ka kërkuar prokuroria, çka ka nxitur edhe revoltën e madhe, te familjarët por edhe në rrjetet sociale.



AlbaniaWeb.net