Prag sfida me Vllazninë, Partizani “vuan” disa mungesa
Partizani po bëhet gati për fillimin e sezonit të ri futbollistik në vend, ku kampionatin e nisin të hënën e 19 gushtit, ora 20:00, në “Arena e Demave” kundër Vllaznisë.
Edhe pse starti është në prag, të kuqtë dje kanë vijuar programin stërvitor me ngarkesë maksimale.
Nën drejtimin e drejtor-trajnerit, Arbër Abilaliaj, të kuqtë dje kanë kryer dy seanca stërvitore. Paraditja ka qenë një alternim i përgatitjes në palestër dhe në fushë, ndërsa pasdite ekipi është përgatitur kryesisht në fazën tekniko-taktike, ku gjithçka shkon në funksion të përsosjes së skemave dhe strategjinë për duelin me shkodranët.
Për momentin stafi teknik nuk e ka të plotë grupin, ku ka mungesa të konfirmuara për duelin me Vllazninë, por edhe lojtarë që janë në dyshim. Gjelbrim Taipi është i sigurt si mungesë për të hënën, ndërsa Preka dhe Hadrojn ndonëse kanë nisur vrapimet me gjasa nuk do të jenë në fushë ndaj Vllaznisë. Gjithashtu pjesë e infermierisë së fundmi kanë qenë edhe Mintogo, Buxhelaj dhe Ismaili, gjendja e të cilëve do të monitorohet deri në fund dhe më pas do të vendoset për aktivizimin e tyre.