Stuhia e fuqishme pritet të godasë Japoninë, evakuohen njerëzit, Tokio anulon fluturimet dhe trenat
Fluturimet dhe trenat në zonën e Tokios u anuluan dhe njerëzit u paralajmëruan për erëra të forta, shira të dendur, përmbytje të mundshme dhe rrëshqitje balte, ndërsa një tajfun i ardhur nga Oqeani Paqësor pritet të godasë Japoninë.
Tajfuni Ampil parashikohej të arrinte në ujërat afër Tokios në mbrëmje dhe të vazhdonte në veri, duke sjellë kushte stuhie në rajonet veriore Kanto dhe Tohoku.
Disneyland-i i Tokios, zakonisht i hapur deri në orën 21:00, po mbyllej herët në orën 15:00 për shkak të tajfunit. Yamato Transport, i cili bën dërgesat e Amazon dhe kompanive të tjera në Japoni, tha se asnjë dërgesë nuk do të bëhet në Tokio dhe zonat e prekura aty pranë në datat 16 dhe 17 gusht.
Trenat Shinkansen që qarkullonin midis Tokios dhe Nagoya u ndaluan për tërë ditën, sipas Central Japan Railëay. Trenat që shërbenin në Japoninë verilindore dhe disa trena lokalë të Tokios u pezulluan përkohësisht ose u kaluan në një orar më të ngadaltë.
Dhjetëra fluturime nisjeje dhe mbërritjeje u anuluan në dy aeroportet e Tokios, Haneda dhe Narita, si dhe në aeroportet Kansai, Osaka dhe Chubu. Anulimet e fluturimeve prekin rreth 90,000 njerëz, sipas raporteve të mediave japoneze.
Aeroportet dhe stacionet e trenave ishin mbushur të enjten e 15 gushtit me njerëz që po përpiqeshin të shmangnin ndërprerjet nga tajfuni.
E premtja e 16 gushtit ishte me shi dhe erë në Tokio, megjithëse intensiteti ndryshonte. Trafiku dhe turmat në rrugë ishin të pakta, kryesisht për shkak të periudhës së pushimeve verore, jo vetëm për shkak të motit.
Zyrtarët paralajmëruan njerëzit që të qëndrojnë larg lumenjve dhe plazheve dhe të jenë të kujdesshëm ndaj erërave mjaft të forta.
“Ne parashikojmë erëra jashtëzakonisht të forta dhe dete jashtëzakonisht të ashpra”, tha Shuichi Tachihara, kryeparashikuesi i JMA.
AlbaniaWeb.net