Analiza/ Lorenc Vangjeli: Sherri i Metës me bankën, nuk ndizet zjarr në velat e varkës!
Ilir Meta, ish-president i republikës dhe president i PL-së u shfaq i zemëruar në një takim me kryesinë e partisë së tij. Meta foli me gjuhën e tij të zakontë ndaj kundërshtarëve duke përdorur fjalë të ashpra nga katet e poshtme të fjalorit të shqipes ndaj shënjestrave të tij, Ramës, Dumanit apo disa prej personazheve të dikurshëm të partisë së tij. Meta lundroi në të njëjtat ujëra të sfidave të tij të shumëfishta politike si zakonisht, por padyshim habia e rradhës ishte kur në menunë e sulmeve shtoi dhe një bankë të nivelit të dytë në vend. “Mund ta falimentoj për 24 orë si Suden!”, kërcënoi Meta.
Ish-presidenti tha se një gjë e tillë mund të bëhej duke ju bërë thirrje shqiptarëve që të tërhiqnin depozitat e tyre nga banka që e kishte zemëruar. Një skenë që dashnorët e hershëm të letërsisë e kanë lexuar në një libër shumë popullor në kohën e diktaturës, Bankieri i Lesli Uollër, atëherë kur askush nga qytetarët nuk kuptonte gjë nga sistemi financiar dhe “bankat” në Tiranë ishin thjesht magazina primitive parash, ka një kontribut të dorës së parë në qasjen e përgjithshme të publikut ndaj bankave dhe sistemit financiar.
Në Tiranë ka ndodhur vetëm një herë një “amok” i tillë paniku, në vitin e largët 2002, kur qytetarët u dyndën në sportele për të tërhequr kursimet nga frika se do t’i humbisnin. Dhe ishte një sipërmarrje tejet e vështirë të ndalej psikologjia e turmës qe kishte ende të freskët masakrën e piramidave të 97-ës. Cdokush që ka njohuri fillestare në financë e kupton lehtësisht se një akt i tillë do të ishte një reaksion zinxhir, do të krijonte një sistem domino që nuk dihej sesi do të përfundonte. Por në të gjitha rastet rrjedhojat do të ishin mes atyre të keqijave, ne rastin më të mirë dhe tmerrësisht të këqijave.
Fatmirësisht Meta nuk shkoi përtej kërcënimit, edhe pse e ripërsëriti zemëratën e tij edhe në një tjetër takim lokal me militantë të partisë së tij.
Në thelb, sherri me bankën ishte në kufinjë e banalitetit: ishte refuzuar një shërbim financiar për PL-në. Një mosmarrëveshje që ishte zgjidhur vetëm me një telefonatë disa minutëshe të Metës me drejtuesin e bankës dhe në një shkëmbim reciprok respekti të mbartur nga e shkuara.
Me të gjitha gjasat, një njeri që di si funksionon shteti, nuk e ka pasur seriozisht kur kërcënoi me fatin e Sudes një bankë në Tiranë. Me të gjitha gjasat, Meta dëshiroi të tregojë forcë, por jo të jetësojë forcën në mënyrë krejt joproporcionale për t’i dhënë në këmbim pleshtit të hakmarrjes, djegien e gjithë shtëpisë me gjithë garderobë brenda.
Ky episod i zymtë i lehtësisë për të kaluar ca pak vija të kuqe që ka një shoqëri, është bërë një sport popullor në vend prej disa kohësh. Edhe pse nuk janë manastire murgjërish, edhe pse në veprimtarinë e tyre bankat e nivelit të dytë, përfshi edhe Bankën Qendrore nëse do të duhej, kanë probleme të ndryshme në menaxhimin e tyre, ato kanë një status krejt tjetër në krahasim me cdo institucion tjetër. Kudo gjetkë, përvec sistemit bankar, mund të lejohen “lojëra”, pazare, sulme e thashetheme. Cdo institucion tjetër apo dhe individ, ka një shkallë shumë më të lartë tolerance ndaj përplasjes me të pavërtetat, me sulmet për interesa të dyshimta, me rivalitete të fshehura e gjithcka tjetër. Bankat dhe sistemi financiar në përgjithësi, kanë një natyrë të vecantë, ku gjithkush duhet të besojë se ndezja e zjarrit brenda në varkë, djegia e velave të saj për sport, mbyt jo vetëm varkën, por dhe marinarët brenda.
Edhe zoti Berisha e ngre pa doganë traun e gjuhës kur flet për banka të vecanta. Të tjerë njerëz të politikës, shumë prej tyre totalisht profanë në cështjet e financave – mes tyre edhe nga ata që paratë i peshojnë me kilogram dhe jo numërojnë me copë – afrojnë të njëjtën qasje arkaike e anarkike kur flasin për të njëjtën temë.
Natyrisht, qerpici modest i botës shqiptare nuk shembet nga lojërat e vogla që bëhen në teatrin e përditshëm absurd të politikës, ku gozhdët që nevojiten për patkonjtë, zakonisht përdoren për t’i nxjerrë sytë kalit. Sot pakkush e kujton atë prokurorin që u bë hero popullor se arrestoi guvernatorin e bankës së shtetit. Askush nuk e vrau mendjen se skena e arrestit nuk ishte kronikë e zezë dhe se në një demokraci që predikon barazinë mes shtetasve, shtetasit nuk jane gjithmonë të barabartë në të drejta, imunitet dhe detyra. Jo për shkak të emrit të individit, por për shkak të detyrës që qëllon të mbajë individi. Lehtësia e padurueshme e lojës me zjarrin, ne fakt është zjarri që mund të djegë gjithkënd.
Pakkush mund ta kuptojë një gjë të tillë më mirë se Meta, Berisha dhe ca pak të tjerë që kanë qeverisur këtë vend. Sic është i detyruar ta kuptojë për shkak të peshës së detyrës edhe Rama. Të tre ata së bashku duke detyruar dhe të tjerët pas tyre, për arsye të ndryshme, por për një qellim të njëjtë, do të duhej të ishin zjarrfikës të vatrave kriminale të zjarrit që po i hap ngadalë e me ngulm në Tiranë edhe marrëzia, edhe lakmia, edhe mos o Zot, qëllime të tjera të liga që tejkalojnë edhe marrëzinë, edhe lakminë.
AlbaniaWeb.net